Halimi për ministren Haxhiu: Mendësia e gazit lotsjellës vazhdon, tash ka kaluar në kërcënim

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka thënë se komenti i ministres Albulena Haxhiu, e cila iu drejtua prokurorit në aktakuzën për gazin lotsjellës me thirrjen “dorëzohu”, shpërfaq qasjen e dhunshme të qeverisjes aktuale në Kosovë.Halimi tha se mendësia e gazit lotsjellës ekziston akoma te partia në pushtet siç ekzistonte sa ishte në opozitë, por se tash, sipas saj, është përkthyer në kërcënim, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.“Mendësia e gazit lotsjellës vazhdon edhe në qeverisje, por tashti shndërrohet në kërcënim, si reflektim i qasjes së dhunshme. Gjuha, komunikimi përfaqëson e përcakton atë çfarë jemi dhe mendojmë. Prandaj, nuk pritet që të qeveriset përtej mënyrës se si Vetëvendosje erdhi në pushtet”, shkroi ajo në Facebook. Ajo tha se, me këtë koment, Haxhiu ka tentuar të ndërhyjë në drejtësi.“Ministrja e Drejtësisë i drejtohet prokurorit me fjalët “dorëzohu, s’është vonë”!? Duke ndërhy paskrupullt në pushtetin e ndarë. Kjo është qasje e rrezikshme dhe shpërfaq mendësinë e gazit lotsjellës në qeverisje duke u përkthyer në arrogancë e mos respektim të shtetit”.“Kjo është dhunë simbolike e pushtetit autoritar”, tha Halimi.