Hasani: Osmani ta dorëzojë mandatin nëse Kushtetuesja i rrëzon dy deputetët

                                Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, foli për efektin juridik që mund të ketë një vendim i Kushtetueses që mund t’i shpallë si të pavlefshme votat e dy deputetëve të “Romani Iniciativa” që votuan pro zgjedhjes së Vjosa Osmanit Presidente të vendit.

Sipas tij, nëse Kushtetuesja konstaton se ka pasur shkelje, atëherë është e udhës që Presidentja Osmani ta dorëzojë mandatin, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Nëse konstatohet se u është cenuar e drejta kushtetuese, për pasojë dy mandate janë të pavlefshme ose jo kushtetuese, nuk diskutohet ajo punë, domethënë (presidentja) duhet ta dorëzojë mandatin dhe të kthehet në pikën zero, nuk mund të ketë interpretim tjetër”, tha Hasani në Klan Kosova.“Efekti juridik është ky; në qoftë se vjen deri te anulimi, nëse në raundin e parë dhe të dytë ekziston… përveç Kushtetutës ekzistojnë edhe dy aktvendime të Gjykatës Kushtetuese në rastin Pacolli dhe Thaçi, të cilat kërkojnë që në raundin e parë dhe të dytë të jenë në kuti 80 vota, vetëm në herën e tretë ka ndryshuar standardi që të jenë 60 vota. Kjo e ka ndërtuar një standard, nëse në rastin e parë nuk kanë qenë 80 deputetë në sallë, është kaluar në fazën e dytë, nëse nuk kanë qenë as në fazën e dytë, nuk ka mundur të shkojë në fazën e tretë”.

Tutje, Hasani tha se nuk ka afate për raportimin e ndonjë dispozite jo kushtetuese.“Pas dhjetë vjetësh mund ta sfidosh dhe të gjendet një dispozitë që është jo kushtetuese dhe e ka efektin e njëjtë sikur ditën kur është zgjedhur ligji edhe pas dhjetë vjetëve. Nuk ka lidhje koha, gjykata i përcakton pasojat juridike, mund ta përcaktojë a i afekton apo jo”, sqaroi Hasani.Në rast se vie deri te ky përfundim, Hasani konsideron se “muhabeti kryhet” me rivotim në Kuvend për ta zgjedhur presidentin e ri.

“Dy vendime janë: një aktgjykim dhe një aktvendim i Gjykatës Kushtetuese, vetëm përsëritet votimi në Kuvend dhe u krye muhabeti”, tha ai. /Reporteri.net/.