Kapitullimi i klasës politike përballë përgjegjësisë për të ndërtuar shtet-Shkruan; Gjeneral ;Hisen BERISHA

    Po kalon dita, e po kalon java. Institucionet nuk po konstituohen. As Kryetar Kuvendi, as Qeveri. Mandatet janë dhënë, por vullneti për t’i përmbushur nuk ekziston. Lidershipi partiak është zhytur në një heshtje të neveritshme politike, ndërsa deputetët janë kthyer në figura të pajetë që presin sinjale nga kryesitë e tyre, por jo nga ndërgjegjja qytetare. Ka bllokadë, por nuk ka ndjeshmëri; ka arrogancë, por jo përgjegjësi.

Në këtë rend të stërkequr, qytetari është kthyer në një peng të një kaste politike që as turpin nuk e njeh më, as përgjegjësinë nuk e mban, as frikën nuk e ndien. Nuk kemi qeverisje, por keqpërdorim të pushtetit. Nuk ka përfaqësim të vërtetë, por një iluzion të rremë për demokraci. Ata që dikur quheshin politikanë, sot janë veçse aktorë të një shfaqjeje absurde, ku drama e vetme reale është jeta e qytetarit të zakonshëm që, është peng i një ambienti politik zhgënjyes.

Politika në Kosovë nuk është më akt drejtimi apo shërbimi, por një -skenë e teatrit absurd. Udhëheqësit tanë nuk janë më politikanë, por aktorë të një shfaqjeje të degraduar, ku skenari është shpikur nga kriza, dialogu shkruhet nga servilizmi, e protagonisti i vetëm i tragjedisë mbetet qytetari – ai që numëron minutat kur të largohet nga kjo tokë, nga ky shtet i pambrojtur, nga ky realitet që e thyen çdo ditë.

Kjo nuk është më vetëm një krizë politike. Është një kolaps etik dhe moral. Një kapitullim i klasës politike përballë përgjegjësisë për të ndërtuar shtet. E vetmja shpresë e vërtetë mbetet vetëdija qytetare, që duhet të zgjohet jo për të brohoritur liderë të rrejshëm, por për të kërkuar llogari, për të përmbysur këtë gjendje apatie dhe për të rikthyer normalitetin në themelet e institucioneve tona./QendraPress/