Rozeta Hajdari dhe LVV “në panik”, vazhdojnë t’i rreken Prokurorisë Speciale

Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon të publikojë raste të cilat Qeveria Kurti i ka dërguar në Prokurorinë Speciale mirëpo që nuk janë marrë për bazë. Kështu, LVV po vazhdon t’i rreket sistemit gjyqësor me idenë që të tregojë se Prokuroria Speciale është e njëanshme kur vjen te kjo qeveri. Kësaj radhe, përmes një videoje, partia në pushtet ka njoftuar për një akt të paligjshëm të nënshkruar në 2020-ën, çka i ka dhënë një kompanie private të drejtën për ta kryer kontrollin e karburanteve të naftës para se të hynë në treg, kështu duke ia marrë kompetencën Doganës, transmeton gazeta online Reporteri.net.“Krejt ky shërbim i ishte dhënë një kompanie private me ç’rast fitim neto para tatimit për këtë shërbim do t’i kushtonte me dhjetëra miliona euro buxhetit të shteti”. “Më 5 maj të vitit 2021, MINT ka dorëzuar kallëzimin penal ne Policinë dhe Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës por asnjë veprim”, thuhet në postimin e LVV-së.Po ashtu të hënën, pra sot, edhe Zëvendësministri i Infrastruktrës, Hysen Durmishi, ka përmendur një lëndë për mirëmbajtje të urave, të cilën tha se ka dy vite e 50 ditë që kur e ka dorëzuar në Prokurori Speciale, por që e njëjta nuk është shtjelluar ende nga prokuroria.Ndërsa vetë kryeministri Albin Kurti, kur u deklarua për aferën me rezerva shtetërore, në ditën kur u arrestua Ridvan Muharremi dhe dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, tha se nuk i kanë bërë përshtypje prokurorisë disa kallëzime penale që VV i ka dërguar kur ka ardhur në pushtet.“Me qindra raportime zyrtare e kallëzime penale i kanë deponuar ministritë tona për krimin e korrupsionin që e kemi gjetur, por, përgjithësisht, kjo nuk i ka bërë përshtypje prokurorisë së shtetit”, kishte thënë Kurti.“Reformat tona nuk do arrijnë t’i ndalin. Rastet e akumuluara tё krimit e tё deponuara nga kjo qeveri nuk do mund t’i fshehin edhe shumё gjatё”.Kjo i ka bërë përshtypje në veçanti kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili tha se Kurti është i vetmi lider që nuk i beson shtetit të vet. /Reporteri.net/.