Trump paralajmëron rikthimin te çështja Kosovë-Serbi: Biden e dëmtoi, unë do ta rregulloj përsëri

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka paralajmëruar se do të rikthehet të merret me çështjen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Përmes një postimi në platformën e tij, Truth Social, Trump tha se gjatë mandatit të tij të parë kishte arritur të parandalojë një konflikt të mundshëm mes dy vendeve, të cilin e cilësoi si rrezik për shpërthim të një lufte.“Gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova po përballeshin me forcë, ashtu siç kanë bërë për dekada, dhe ky konflikt i gjatë ishte gati të shpërthente në luftë”, shkroi Trump. Ai gjithashtu kritikoi presidentin aktual, Joe Biden, duke e akuzuar se me disa “vendime budallaqe” ka dëmtuar perspektivën për një paqe të qëndrueshme në Ballkan.
“Unë e ndalova. Biden ka dëmtuar perspektivat afatgjata me disa vendime shumë budallaqe, por do ta rregulloj përsëri”, shtoi Trump.
Trump e përmendi këtë deklaratë teksa fliste edhe për tensionet mes Izraelit dhe Iranit, duke theksuar se vetëm ai është në gjendje të sigurojë marrëveshje paqeje në konfliktet ndërkombëtare.
Në vitin 2020, gjatë presidencës së Trump-it, Kosova dhe Serbia nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë marrëveshjen për normalizimin ekonomik, ndërmjetësuar nga administrata amerikane.
Megjithatë, kjo marrëveshje nuk ishte zbatuar gjatë administratës Biden.
Iniciativa për rikthim në dialog
Komisionarja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se rruga evropiane e Kosovës varet nga normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe jo “përmes veprimeve të njëanshme”.
Gjatë një debati të zhvilluar në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, Kos ka thënë, gjithashtu, se Komisioni është i gatshëm të përgatisë mendimin për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, sapo të marrë një kërkesë të tillë nga Këshilli.
Kosova pati aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 15 dhjetor të vitit 2022, por kërkesa e saj nuk është shqyrtuar ende, dhe si rrjedhojë ajo është vendi i vetëm në Ballkan që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat.
Sa ka folur për Kosovën, Kos ka bërë thirrje edhe për formimin e shpejtë të institucioneve, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
“Një qeveri funksionale dhe një Kuvend janë të domosdoshëm që Kosova të përfitojë nga plani i reformave dhe rritjes”, ka thënë mes tjerash ajo.
Kosova ende nuk ka Qeveri të re, si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar asnjë rund të dialogut politik që nga shtatori i vitit 2023, për shkak të krizave në veriun e Kosovës, që rritën tensionet mes dy vendeve.
Prej atëherë janë mbajtur vetëm bisedime në nivel të kryenegociatorëve.
Bashkimi Evropian ua ka bërë me dije vazhdimisht Kosovës dhe Serbisë së normalizimi i marrëdhënieve fqinjësore është kusht për secilën në rrugën e tyre drejt integrimit.
Ato arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve në vitin 2023 – nën ndërmjetësimin e BE-së – por nuk e kanë zbatuar atë deri më sot./Telegrafi/