Gjykata Speciale në Hagë po e shkelë Kushtetutën e Kosovës
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka deklaruar se Gjykata Speciale në Hagë po e shkelë Kushtetutën e Kosovës, duke mos i publikuar dokumentet në gjuhën shqipe, shkruan Insajderi.
Ai në një postim në Facebook është shprehur se “dokumentet e gjykatës po publikohen në gjuhën angleze, duke injoruar dhe shkelur obligimin kushtetues dhe ligjor për të publikuar këto dokumente edhe në gjuhën shqipe në të njëjten kohë”.
“Sipas Ligjit mbi Dhomat e Specializuara, gjuhë zyrtare në këtë gjykatë janë gjuha shqipe, serbe dhe angleze. Gjatë çdo procedure, gjyqtari i procedurës paraprake ose paneli mund të vendosin për gjuhën e punës gjatë procedurës, sipas nevojës dhe duke i respektuar në plotësi të drejtat e të akuzuarve. Ligji mbi Dhomat e Specializuara, por as gjyqtari i procedurës paraprake, as paneli e as gjykata nuk kanë të drejtë të shkelin Kushtetutën e Kosovës, qoftë në raport me punën e tyre, qoftë në raport me komunikim me publikun në Kosovë”, ka shkruar ndër të tjera Miftaraj.