Fryma poetike e së mërkurës me poeten;-Sadbere GAGICA

JAM DORËZU

———————-

Jam dorëzu

si guri i betimit në malet e Dardanisë,

kur gjaku lidhej me tokën

dhe fjala s’kishte kthim.

Jam dorëzu

kur emri m’u gdhend në shkëmb

si faj i trashëguar.

Jam dorëzu

si Rozafa në mur,

me qumështin që rrjedh edhe sot

përtej legjendës.

Jam dorëzu

që ura të mos shembej më

mbi kurrizin e brezave.

Jam dorëzu

para Zanes së malit,

që s’fal lot,

por i kthen në gur.

Jam dorëzu

kur kënga u bë mallkim

dhe fyelli thirrje lufte.

Jam dorëzu

si Dragoi i plagosur,

që mban stuhinë në kraharor

por s’ka më kë të mbrojë.

Jam dorëzu

kur rrufeja m’u shua në grusht

dhe qielli m’u bë i huaj.

Jam dorëzu

jo për t’u zhdukur,

por si hiri i votrës së vjetër

që ruan zjarrin nën tokë.

Jam dorëzu

sepse kush bie në këngë,

ringjallet në emër.

Jam dorëzu

/QendraPress/