Por, kur mund të fillojë procesi i vaksinimit në Kosovë?
Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj, tha se ka nënshkruar të hënën aplikimin zyrtar për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19 nëpërmjet Aleancës Botërore të vaksinimit.
Nga kjo sipas ministrisë së Shëndetësisë, Kosova pritet të përfitojë rreth 360 mijë vaksina falas, ndërsa pjesën tjetër synon ta blejë.
Sipas ministrisë, me këtë sasi pritet që të vaksinohen së pari grupet e popullatës që janë më të rrezikuara nga COVID-19, siç janë punonjësit e shëndetësisë, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.
Por, kur mund të fillojë procesi i vaksinimit në Kosovë?
Zyrtarja për emergjenca në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Isme Humolli, në një bisedë për Zërin e Amerikës, se ky proces nuk mund të fillojë para stinës së pranverës.
“Ne po shpresojmë si OBSH që të jetë gjysma e marsit, eventualisht fillimi i prillit. Gjasat për me fillu më herët nuk ka duke pasur parasysh sasia e vogël e vaksinave që janë në prodhim dhe kërkesave shumë të mëdhaja që janë në mbarë botën”, tha ajo.
6 Zyrtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë thonë se Kosova përballet me mungesë të kushteve teknike dhe profesionale për vaksinën e re kundër COVID dhe se janë duke mbështetur autoritetet në përgatitjen e terrenit për fillimin vaksinimit të popullatës.
“Si OBSH e kemi anën teknike do të thotë do të bëjmë trajnimin e stafit mbi dhënien e vaksinën, për mbikëqyrjen e efekteve të padëshiruarve pas vaksinale, identifikimin e tyre, regjistrimin e vaksinave e kështu me radhë”, tha Humolli.
Qytetarë të anketuar nga Zëri i Amerikës thonë se janë të gatshëm të marrin vaksinën pasi që kjo të rekomandohet nga institucionet e vendit.
Të hënën, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike konfirmoi 519 raste të reja të të prekurve nga koronavirusi dhe 14 viktima në 24 orët e fundit.
Zyrtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë thonë se tre muajt e ardhshëm pritet të jenë të vështirë.
“Jemi hyrë në muajt e rrezikshëm kur numri i rasteve është jashtëzakonisht i lartë por njëkohësisht edhe numri i rasteve të vdekjes, vërehet një rënie e lehtë e lakorës së rasteve të reja por fatkeqësisht numri i vdekjeve është shumë i lartë dhe mbetet i lartë pavarësisht a ka ndonjë sëmundje kronike apo jo dhe pavarësisht moshës”, tha Humolli.
Që nga shfaqja e pandemisë në Kosovë, janë shënuar më shumë se 43 mijë të prekur nga të cilët 1120 kanë humbur jetën, ndërsa mbi 29 mijë janë shpallur të shëruar./VOA