A po shkon LDK-ja drejt një ndarje të re – tregon Fatmir Rexhepi
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur hapur se do të largohet nga LDK dhe do të themelojë një iniciativë qytetare, pra do të garojë në zgjedhjet e reja me një Listë të re, që sipas të gjitha gjasave do të jetë në koalicion parazgjedhor me Vetëvendosjen.
Asaj do t’i bashkohet edhe deputeti aktual i grupit parlamentar të LDK-së, Haxhi Avdyli nga Prizreni.
Këto largime po shihen si një ndarje e re për LDK-në. Por deputeti i kësaj partie nga Gjilani, Fatmir Rexhep, nuk dëshiron të besojë se po troket një ndarje e re në partinë e tij.
“Nuk dua të besoj që ish dashtur me ndodh ajo, nëse ndodh, çdo reaksion që del nga një parti, e ka edhe çmimin e vet, se çfarë çmimi është nuk mund ta di”, ka deklaruar ai në REPORTERI/INTERVISTA.
Ai ka kërkuar që në prag të shënimit të 31-vjetorit të partisë, të dilet me një unifikim.
“Por e di një gjë, që fryma e jubileut të 31 vjetorit të del me një çasje për unifikim, të gjendet një formulë që të mos dëmtohet LDK, pasi dëmtohet edhe Kosova”, ka pohuar ai.