“Njerëzit votojnë në kuti, jo në Facebook”
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Avdullah Hoti, ka thënë se njerëzit votojnë në kuti e jo në Facebook.Këto komente ai i bëri gjatë një vizite elektorale në Kaçanik, njofton Insajderi.Hoti iu referua sondazheve të cilat Vetëvendosjen e paraqesin bindshëm si “partinë e parë”.
“Është krijuar perceptim në opinion se gjoja LDK-ja nuk i ka punët mirë. Mesazhin që jam duke e marr edhe sonte këtu, edhe nëpër degët tjera ku jam tash e një javë nëpër vizita, është i qartë – po na thonë ‘këtu jemi’. Njerëzit nuk votojnë në Facebook, njerëzit votojnë në kuti. Njerëzit nuk votojnë nëpër ato ekranet e mëdha të debateve televizive komerciale, por votojnë në kuti të votimit. Kur e hedh votën në kuti të votimit, nisesh prej mendjes dhe zemrës tënde”, tha ai.Hoti për vizitën në Kaçanik ka shkruar edhe në Facebook, duke thënë se “Entuziazmi dhe vendosmëria e tyre përcollën mesazhin e qartë, fitoren e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe fitoren e qytetarëve”