E diela me poeten:Nurie Baduni
DASHURI E PIKËLLIME
———————————
Më në fund,
Përqafova bregdetin,
Shkela mbi guralecët e bardhë,
Aty ku dashuritë burojnë pikëllime,
E ku çdo cep i horizontit
Pikon mall…
Përbri, përballë, poshtë, anash…
Deti ka veshur imazhin tënd,
Si në përrallë…
Posejdoni ndihet i gjallë.
I palagur, mes delfinëve e valëve,
Mbretëron krenar mbi karrocën e artë,
Dhe unë nuk kam forcë t’a zhvesh e t’a ndal.
Janë përhumbur te njëri tjetri
Përflaktë.
Kurmi yt, përpëlitet në hapësirën e madhe.
Ndihet ngushte…
Tek ndjek valët, të shoh mes tyre.
Krahu përshëndetës lëviz gjithandej,
Tek shtrëngon tredhëmbëzorin në grusht.
Pulëbardhat shfaqen në dritëza të vogla,
E ndriçojnë shumëngjyrshëm imazhin tënd.
Duket se ke mall për gjithshka përreth.
Armën e artë prej dorës e hedh,
Ngultaz sytë i ndal,
Dhe unë hesht…
Me britmat brenda gati në shpërthim,
Gjithë qenia ime thërret emrin tënd,
Por e ndjej, nuk ka rikthim.
Bregu gëzueshëm gumëzhin.
Të gjithë rrotull ndihen brenda qetsëisë,
Veçse unë të shoh e të ndjej,
Por nuk mund të të prek.
Më preket loti e rrjedh,,,
E rëndesës së tij i trembem,
Posejdonin më zgjon, e humbet…
E zëri im i mbytur thërret e thërret.
Përpëlitje e përhumbje e kotë,
Largoheni të qetë.
Heshtja ime brendësisë vret…
Kthehem nga erdha.
E lë bregun në qetësinë e vet.
Më tërheqin dashuritë në jetë…
N. Baduni 16.04.2021