Fryma poetike e së dielës me poetin;-Kujtim OSHAFI

I thurja gërsheta………

———————————–

Që ishte më e bukura, e tregonte koha

Sa herë ajo dilte, largoheshin retë

Si mjalti shkriheshin, gjërat e ftohta

Dimrin me ngricë, e bënte pranverë.

I thurja gërsheta, me degë trëndelinë

Varja në to, manushaqe mali me erë

Të qëndronin mbi to, me dhjetra bilbilë

Të ishte e freskët, dhe e bukur përherë.

Çdo fjalë që thoshte, lyer me nektar

Buzë e njomë e saj, drejt meje i shtynte

Kisha frikë ti puthja, mos lëshonin zjarr

E digjej trupi e vendi, prej erës që frynte.

E gjeje fare lehtë, edhe pse e mbulonin lulet

Ato me aromë, e më të bukurat e malit

Të gjitha ato afër saj, rrinin kokë ulët

Dhe lulet e thata, merrnin jetë majë zallit.

/QendraPress/