INTERVISTË ME ENVER MUSAJ – VETERAN I UÇK-së, I PLAGOSUR RËNDË NË LUFTË MË 1999, DHE QË IU NËNSHTRUA 16 INTERVENIMEVE KIRURGJIKE

0

Për “Qendrapress”, intervistoi: Ma. Sci. Kasam MUHAMETI

Të mahnit optimizmi dhe entuziazmi i tij:

‘Aspak nuk jam pishman, ngase e kemi fituar lirinë’!         

Enver (Hasan) Musaj u lind më: 07. 10. 1974 në Samadrexhë të Suharekës. Shkollën fillore  “Dituria” e mbaroi në vendlindje, ndërsa të mesmen “Jeta e Re” në Suharekë. Studimet i mbaroi më 2001 në Shkollën e Lartë Pedagogjike “Xhevdet Doda” në Prizren – Drejtimi Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Më 2015 ka mbaruar edhe studimet themelore – Drejtimi Shkenca Politike dhe Administratë Publike.

Qendrapress: I nderuari Enver, ju lutemi keni qenë pjesëtar i UÇK-së, a mund të na tregoni kur jeni mobilizuar dhe si kanë rrjedhur proceset gjatë shërbimit tuaj në UÇK?

Enver MUSAJ: Po. Faleminderit. Gjatë vitit akademik 1995/96 pata vendosur të studioj, por për shkak të gjendjes së rënduar në Kosovë, fillimisht me disa shokë jemi marrë me organizimin e protestave në kuadër të Unionit të Studentëve të Shkollës së Lartë Pedagogjike “Xhevdet Doda” në Prizren. Ndërsa, në prill të vitit 1998 i ndërpreva studimet dhe vendosa që t’iu bashkohem luftëtarëve të UÇK-së. Më i pata harruar studimet, madje edhe përgjegjësitë familjare, sepse na duhej të mirremi intensivisht, ditë e natë me aktivitetet ushtarake e luftarake. Fati ynë qe i tillë që me disa shokë të jemi ndër themeluesit e celulave të para të UÇK-së në rrethinën e Suharekës, duke u inkuadruar fillimisht në Njësitin “Çeliku 50”, i cili ka vepruar në  fshatrat: Samadrexhë dhe Doberdelan, së bashku me Rexhep Morinën e Bajram Bekteshin. Në UÇK jam kyçur në maj të vitit 1998, në Doberdelan të Suharekës, ku aty jam njoftuar me skuadrat dhe njësitin e parë, njëherit edhe kemi bërë stërvitjet e para ushtarake. Komandant i këtij njësiti ishte Feim Balaj për fshatrat: Doberdelan, Samadrexhë, Opterushë, Neprebishtë, Pagarushë, e në disa rrethe të tjera (për disa çështje nuk kam pasur njohuri). Meqë u pata mobilizuar më herët në UÇK, dhe pata fituar përvojë luftarake, në dhjetor të vitit 1998 jam avancuar me detyrë të Policit Ushtarak në kuadër të Zonës Operative të Pashtrikut. Ndjehem mirë sot, ngase më kanë vlerësuar si një nga strategët dhe luftëtarët më të mirë, si dhe për zhdërvjelltësi dhe korrektësi. Kam luajtur edhe rolin e komisarit apo personit zyrtar të UÇK-së për t’i mobilizuar njerëzit për përkrahje dhe për t’i kyçur me luftëtarët e UÇK-së. Me keqardhje më duhet të ceki edhe një çështje: ‘29 shokë të mi, sot janë dëshmorë të Kombit, me të cilët jam rritur së bashku, me disa nga ta kam qenë në shkollë fillore e të mesme, si dhe gjatë disa operacioneve luftarake edhe kemi vepruar së bashku’. Ndërkohë, jam takuar me Fadil Shehun nga Maxharra e Malishevës dhe shumë djem trima nga komunat tjera të Kosovës, me të cilët kemi marrë pjesë në shumë aksione e beteja të UÇK-së. Një kohë kemi vepruar në Doberdelan, 7 muaj në Samadrexhë, një kohë në Shtabin Lokal – gjatë muajve qershor dhe korrik 1998 ky Shtab ka pasur diku rreth 482 ushtarë të UÇK-së të mobilizuar për luftë në krye me komandantin Feim Balaj. Ky Shtab më vonë u shndërrua në Kompani. E një kohë kemi vepruar nëpër shtëpi të tjera që i kanë shpëtuar zjarrit nga ofenziva e korrikut të vitit 1998. Pastaj një kohë të gjatë qemë në Kostercë në Komandën e ZOP, afërsisht edhe një muaj në bjeshkët e Berishës – në Kleçkë, deri në fund të prillit 1999.

Qendrapress: Si erdhi deri te plagosja e juaj, a mund të na tregoni?

Enver MUSAJ: Sa herë që vjen 1 maji, dhe akrepat e orës: 13:15 të asaj date, më kujtohen momentet kritike, kur më: 01. 05. 1999, forcat okupuese serbe (ushtarë, paramilitarë, policë) patën hyrë në Samadrexhë, ndërsa me disa luftëtarë të UÇK-së me të cilët isha edhe unë, së bashku me shokun tim Fadil Shehu, që vepronim në kuadër të Policisë Ushtarake të ZOP të UÇK-së, vendosëm që të përballemi me ta. Unë dhe Fadili me tërë potencialin dhe guximin tonë qemë të parët që iu kundërvumë forcave barbare. Me ç’rast, një plumb snajperi i armikut goditi pamëshirshëm në këmbën time të majtë, i cili më shkaktoi plagë të rëndë, ndërsa një plumb i automatikut më ka goditur edhe në krahun e majtë. Gjatë atij luftimi të asaj dite, fatkeqësisht, vetëm unë u plagosa. Në atë ballafaqim në një afërsi prej 50 metrave, Fadili kishte lënë të vrarë e të plagosur disa paramilitarë serbë. Për këtë sukses të tij kanë treguar shokët e UÇK-së që patën arritur ta marrin atë pjesë të fshatit përsëri nën kontroll.

Kontribut të çmuar për t’më shpëtuar mua ka dhënë shoku im Fadil Shehu, të cilin e falënderoj shumë dhe e përshëndes. Fadili ka rrezikuar jetën e tij, ndërsa ai arriti që t’më tërhjekë mua nga vendi ku u pata plagosur dhe më ka bartur përafërsisht 3 kilometra, derisa arritëm të takohemi me shokët tjerë nga Kompania e II-të e “Brigadës 123” – shyqyr Zotit te dy kemi shpëtuar nga dora gjakatare dhe sot jemi në jetë.

Nga ai moment, Fadili u bë shoku më i dashur i imi dhe pjesë e pandarë e jetës sime!

Përveç Fadilit, të cilin nuk heq dot nga mendja ime, gjithashtu falënderoj infermierin Visar Morina, i cili ma ka dhënë ndihmën e parë në Samadrexhë, fillimisht duke u kujdesur për ndaljen e gjakderdhjes dhe imobilizimin e plagës. Visari ka qenë infermier pranë Kompanisë së II-të të “Brigadës 123” të Zonës Operative të Pashtrikut.

Qendrapress: Çfarë përjetuat pas plagosjes, a e patët vështirë pastaj?

Enver MUSAJ: Po. Vështirësitë ishin të mëdha. Pastaj më kanë transferuar për në Breshanc, ku aty kam qëndruar një natë, e që iu shpreh mirënjohje mjekëve që kanë vepruar në ambulancën e atij fshati. Ata janë: Sali Asllanaj, Reshat Kabashi, si dhe infermieri Daut Bytyçi. Të nesërmen më kanë dërguar në Spitalin Ushtarak të ZOP, i cili Spital ka qenë për një kohë në Kravasari të Malishevës. Aty më është bërë edhe ndërhyrja e parë kirurgjike, më: 02. 05. 1999. Mirënjohje ekipit mjekësor që vepruan në kuadër të Spitalit Ushtarak të ZOP. Ata ishin mjekët: drejtori – Agim Hazrolli, Haki Gashi, Nuredin Morina. Pastaj infermierët: Enver Halitaj, Mevlyde Gallopeni, Brahim Hasanaj, Behar Mazreku, Visar Morina, Bujar Thaçi dhe Jeton Kabashi – këta dy të fundit tashmë janë dëshmorë të Kombit, etj..

Pas dy ditësh, më: 3 e 4 maj 1999, shokët e mi ndërmorën disa aksione kundër forcave serbe në shenjë hakmarrjeje për mua, si dhe për shokët e rënë dëshmorë.

Në fund të majit, e në fillim të qershorit 1999, më kanë transferuar nga spitali i ZOP – të Kravasarisë, ndërsa më çuan për në bjeshkët e Berishës në  Divjakë afër Kleçkës. Edhe nga aty, me të gjithë të plagosurit tjerë të ZD & ZOP, për shkak të një ofenzive, jemi detyruar të marrim rrugën për Maqedoni – në drejtim të Tetovës. Nëpër Grykën e Carralevës depërtuam në Mollopolc të Shtimes, e që aty ishte ZON. Aty qëndruam disa ditë. Dy grupe me të plagosur arritën të dalin për Maqedoni, ndërsa unë me disa shokë të tjerë – të plagosur, nuk patëm mundësi të dalim, sepse ishim të plagosur rëndë. Pas nënshkrimit të Marrëveshjes Ushtarake ndërmjet udhëheqësve ushtarakë të NATO-s dhe RFJ-së – Serbisë, e cila u bë në Kumanovë të Maqedonisë më: 9 qershor 1999, e që me atë marrëveshje iu dha fund luftës në Kosovë, të plagosurit që ishim në Spitalin e Mollopolcit na dërguan në Ferizaj, ku dhe na vendosën nëpër reparte të Spitalit. Në Ferizaj, unë me shokët që ishim së bashku, patëm fatin t’i shijojmë momentet e Çlirimit të Kosovës, ndonëse edhe larg familjes e të afërmve tanë. Në Spital të Ferizajit kemi qëndruar deri më: 17 qershor 1999. Pastaj ka ardhur stafi i Spitalit të Prizrenit dhe na ka marrë, sepse ashtu ishte rregulli, që secili i plagosur të kthehet në Zonën e tij apo në qytetin ku është vendosur Spitali Ushtarak i ZOP. Deri më: 20 gusht 1999 kam qëndruar në Spital të Prizrenit, pastaj 7 ditë në Spital të Prishtinës, ndërsa më: 28 gusht 1999 udhëtova për herë të parë në Gjermani që të bëj trajtime të tjera mjekësore.

Pas mbarimit të luftës në Kosovë, për shkak të infeksionit serioz të plagës sime më është bërë edhe një ndërhyrje kirurgjike në Spitalin e Prizrenit, ndërsa mjekimi dhe shërimi definitiv i imi qe i pamundur të bëhet në Kosovë, kështuqë, një kohë të gjatë më është dashur të vazhdoj trajtimin dhe ndërhyrjet kirurgjike jashtë, në ndonjë shtet të Evropës. Në Gjermani më janë bërë edhe 10 ndërhyrje kirurgjike deri në fund të vitit 2003. Pastaj jam detyruar të shkoj me tretman të azilantit në Zvicër, nga janari i vitit 2004. Atje qëndrova deri në dhjetor të vitit 2009, ku më janë bërë edhe 4 ndërhyrje të tjera kirurgjike. Krahas shërimit tim, gjatë asaj periudhe kam punuar edhe mësimdhënës i Mësimit Plotësues në Gjuhën Shqipe në Qytetin e Neuchatel-it në Zvicër (në kuadër të LAPSH-it). Jam detyrur të qëndroj në Zvicër që të arrij shërimin më të mirë, sepse për shkak të ndërlikimeve serioze të plagës, në Kosovë qe e pamundur të më kryhen operacionet që duhej bërë për shërimin tim. Në dhjetorin e vitit 2009 vendosa të kthehem përfundimisht në Kosovë dhe vazhdova të kërkoj një vend pune.

Qendrapress: Si ndiheni sot?

Enver Musaj: Pas shumë përpjekjeve më se 4 viteshe, më: 01. 07. 2014, fillova punën në Prizren – Zyrtar në Departamentin e Vlerave të Luftës së UÇK-së. Në këtë detyrë edhe sot mundohem të punoj me vullnet dhe përkushtim.

Meqë mu dha rasti, më lejoni që t’iu shpreh mirënjohje edhe shokëve, miqve dhe familjes sime për përkrahjen e dhënë në çdo moment. Ndjehem mirë sot, që jemi munduar të japim kontributin tonë dhe që qemë të gatshëm të sakrifikojmë për atdheun tonë, atëherë kur qe nevoja. Përkundër vështirësive të mëdha që kam përjetuar, sfidave e barrierave jetësore e familjare, megjithatë jam munduar të gjej forcë dhe hapësirë që t’i përkushtohem mësimit e studimit. Më 2015 kam mbaruar studimet themelore edhe në Fakultetin “Fama” – Drejtimi Shkenca Politike dhe Administratë Publike.

Tani jetoj e veproj në Prizren. Jam i martuar dhe kam tre femijë, dy vajza dhe një djalë.

Sot, ndonëse i kam problemet e vazhdueshme shëndetësore, fatkeqësisht, si pasojë e plagosjes, një pjesë në lakun e këmbës së majtë (afër barkut) me gjithë gjurin e kam të lënduar rëndë dhe me forcë të dobët, e edhe me infeksion të izoluar, megjithatë jeta vazhdon. Më duhet të kujdesem edhe për fëmijët e mi, për të ardhmen dhe perspektivën e tyre.

Qendrapress: I nderuari Enver, duke pasur parasysh vuajtjet tuaja, na gëzon fakti që te ju nuk mund të vërejmë shenja të dëshpërimit dhe të mërzisë. Sa herë që ju takojmë dhe rrimë me ju, jeni i hareshëm, gjithmonë na lëni përshtypje, dhe nuk bezdiseni nga ndejet dhe bisedat që i bëjmë me ju, sa do të gjata që janë?!

Enver MUSAJ: Edhe pse më janë bërë disa ndërhyrje kirurgjike, ndjehem krenar, sepse jetën dhe gjymtyrët e trupit tim, ia pata dedikuar lirisë së Kosovës që po e gëzojmë sot. Për atë që më ka ndodhur: ‘aspak nuk jam pishman, ngase e kemi fituar lirinë’.

Qendrapress: I nderuari Enver Musaj, juve dhe të gjithë të plagosurve të tjerë nga lufta e Kosovës ju dëshirojmë shëndet dhe rehati. Është nder për ne që realizuam këtë intervistë me ju, dhe na mundësuat të bëjmë një përshkrim të shkurtër të veprimtarisë suaj dhe të shokëve tuaj për çështjen kombëtare. Pak janë këta rreshta që ua kushtuam juve me shumë respekt, karshi kontributit tuaj të shtrenjtë. Dëshmorët dhe të plagosurit e luftës për lirinë e Kosovës meritojnë më shumë. Respekt për ju dhe për të gjithë ata që sakrifikuan për të qenë e lirë Kosova. Përjetësisht u jemi mirënjohës.

Enver MUSAJ: Ju faleminderit edhe juve për respektin.

Prizren, 01. 05. 2021

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *