E diela me penën e artë të shkrimtarit;Gëzim Ajgeraj

0

DEMENSE

———————-

Harrimeve ecim me vetëdijen mashtruese

e s’ndalemi duke i kënduar himnin e lavdisë së djeshmeve

sa për ti hapë shtigjet e ecjes nëpër mjegull

sikur e djeshmja të ishte vetëm një frazë

a një fjalë e ëmbël goje që na i hap portat e dritës

harruam se ajo ishte e kuqe e dhimbshme e tmerrshme

mishi hante hekur e palca na digjej në flakë

në mos mbi ashtin e qëndresës sonë thyheshin perandorët

ndërroheshin epokat nata po e kryente ciklin e dritës

gurët thyheshin muret binin kalatë errësirat

dridhej toka nën këmbë e skuqej Drini

mbi kafka tona satana ndërtonte hierarkin e krimit

ç’ i mbeti në kujtesë brezave të nëpërkëmbur

pinjollët e të sotmes as që duan ta dijnë se guri ende ska arrit në majë

kush ta shtyj atë kur vëllezërit grinden orë e çast

ehhh medet halli ç’kob harrimi ka rënë mbi kokat tona

prapë tufani i zi na bie vërdallë gardhiqeve

e ne sillemi si të marr rreth etjeve mashtruese

Prizren, 2021

——-

Anemnozë kohe

—————————-

E nesërmja zymtë po na pret, pak faqebardhë

se kush me hilen e vet i frynë ligësisë

helm e vnerë po i vjellim të sotmes hileqare

shkëlqimit i kanë zënë prita e askush s’ia sheh syrin diellit

dasmë për korba ndjellë kjo ulërimë e ligë

nëpër sheshet e mashtrimeve të mdhejt hanë të vegjlit e tyre

mot i ligë ka rënë mbi mendim, mbi shpresë

as ëndrrave më s’ u ndriqon ai kandil i shpresës

se kush kërkon të ngarkon shpresat e vrara dhe mallin

udhët hokojnë orë e çast e marrin arratin

me lakun kohës secili mbi secilin synon grepin

pa çka se virtytet moti na kanë braktisur

edhe ajri pi helmin tonë aromë shafrani

pak kush mbeti pa u helmuar me virusin e ligësisë

lum ai që shkoi e vdiq faqebardhë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *