Çaste poetike me poetin;-Petrit BEQIRI

Për një puthje të padhënë
————————————-
Më ka marrë malli shumë,
për atë natën pa hënë,
të kujtoj çastet fatlumë
dhe një puthje të padhënë!
E mbaj mend që ishte Pashkë,
ç’qe ai qiri që fike?
I bëmë gishtrinjtë bashkë,
për të lidhur çaste “frike”!
Anës rrugicës në zbritje,
në pezul ulur si hëna,
dritën e shkallës e fikje,
të mos dukeshim nga brenda!
Në ato netë pas darke,
o moj robina e çastit!
Ne u gjendëm si pa dashje,
se na panë “plakat e marsit”!
M’u kujtuan ato netë,
po vij ku e patëm lënë!
Të të them më fal, o jetë,
për një puthje të padhënë!
/QendraPress/