E diela poetike me poeten ;JONIDA SHEHOLLI
SHIU NUK E LANË MALLIN TIM
———————————————-
Afër vazos së vrazhdë, tek qoshja e tavolinës
Dorën bëj bërryl, e gishtat i vendos mbi faqe
Një zhurmë, çuditshëm çukitë nga pas komodinës
Hedh frymëzimin e hidhur, e ndjesitë bëhen harqe
Me qëndrimin në profil, shikimet jashtë pikasin
Zgjas kokën e vështroj, shiun që ka filluar të bie
E të reshurat, si me gjyma, sa shumë që zgjasin
Kohë e vranët, shpirtin në melankoli ma shpie
Përbrenda gufojnë drithërima, në xham kërcasin pika
Qindra gërsheta zymtësie, me shiun nga qielli zbresin
Meditimet, asfalte i shtrojnë veseve, mërzitshëm si riga
Gërrhasin si mugëtira e gulçimat në mua mbesin
E përgjumur jam, se nuk bëj një sy gjumë të plotë
Se shkëndija dashurie të mesnatës, më vënë në lojë
Zjarrminë le ta shuan, një gotë çaji i ftohtë
Jo të reshurat, që bien e ndjenjat i bëjnë plojë
O malli im, që në qerpik më je mbjellur
Përmallshëm reflekton në horizontin tim
Po vazhdove kështu, ke për t’më dehur
Në tonelata mallëngjimesh, të mban syri im
Gjithçka çfarë shoh e ndjej, e kam për mall
Dashurinë për babain, largësinë që na ndanë
I kam bërë folenë qysh moti në qepallë
Mallit tim të zhuritur, që shiu nuk ma lanë!…
E enjte 18 nëntor 2021