Në 33 – vjetorin e vdekjes së nacionalistit të njohtun Muharrem Bajraktari… /1894 – 1989 /Shkruan:Petrit Palushi
Ky libër e sheh veprimtarinë e Muharrem Bajraktarit kryesisht në vitet 1945 – 1946.
Në kujtesën historike dhe emocionale të banorëve të Lumës, në sfondin shumëzanor, multikolor të miteve epike dhe modulacioneve lirike të kësaj treve, është riformësuar me tipare unike figura e Muharrem Bajraktarit, “njeriut të lindur me këmishë që s’e zinte plumbi”, kundërshtarit të çdo tiranie dhe tirani. M. Bajraktari u shfaq si legjendë e gjallë edhe në kohën e heshtjes së betonuar të diktaturës, si një Promete modern i lirisë së kombit të vet: ishte njeriu më i cituar edhe pozitivisht madje edhe nga armiqtë e tij në krye të pushtetit, pavarësisht nga ngarkesat ideologjike. Për këtë mund të qëmtohen arkivat e gjithë periudhës së luftë – jetës së tij.
Duke qenë përfaqësues konsistent i cilësive më palcore të atij populli hermetik, besnik dhe mikpritës, pra si njëri ndër personalitetet më përfaqësuese të tij, ai ngjalli admirimin më të thellë në qarqet perëndimore antifashiste me parashikimet që shfaqi në letërkëmbimin me këtë kancelari.
Sa më tepër kalon koha, aq më tepër zmadhohet personaliteti i tij, për të cilin, në vitet e luftës, Miss E. Durham pati shënuar se “Në verilindje udhëheqësi më i shquar është kolonel Muharrem Bajraktari, ish – komandant xhandarmërie”, siç do të shënohej gjithashtu se “Muharremi ushqente ambicie të mëdha” (J. Amery).
Arkiva e M. Bajraktarit, jo vetëm në vitet 1945 – 1946, dëshmon modelin mendelejan të një elementi të pastër në tabelën historike të nacionalizmit shqiptar. Duke cituar princeshën E. Gjika se “ky komb punon shumë, por shkruan pak”, le t’i paraqesim lexuesit të gjykojë me mendjen e tij të ftohtë dhe të kthjellët një shembull të pakontestueshëm të figurës së “neoshqiptarit europian”, para së cilës duhet të skuqen politikanët e djeshëm dhe të sotëm, përsa i përket çeshtjes shqiptare.
Kur jam njohur për herë të parë me shumicën e materialeve arkivorë që botohen në këtë libër, kam menduar se do t’ish paradoksale, madje edhe absurde, që materiale të tilla të bëheshin të njohura: më dukej se ngjarjet kishin ndodhur jo mbi tokë, por në thellësi, në barkun e saj. Megjithatë, edhe pse në mëdyshje, vendosa t’i botoj me mendimin dhe shpresën se ngjarjet që ekspozohen do të kuptohen vetëm si të tilla, si ngjarje që vijnë prej një kohe absurdi, kur vrasja shtetërore dhe shkelja e të drejtës së njeriut qe ngritur në doktrinë.
Nga ana tjetër, ky libër është shkruar kryesisht në pranverën e vitit 1997, në një kohë të pazakonshme për mua dhe mjedisin ku unë jetoj: vrasje dhe shkatërrime të shumta ndodhën në Shqipëri dhe u duk se kjo situatë anormale, kjo kohë tragjike s’do kish të sosur. Një ngjashmëri e rrethanave, parabola tragjike e fatit shqiptar, sidomos përmasa e autoagresivitetit, më duket se ishte ai motivi i brendshëm që më detyroi të krijoj raporte të pazakonshme, madje refuzuese deri në fund, si me të kaluarën, e po ashtu edhe me sotmen. Por, me gjithë vështirësitë që kam hasur duke shkruar librin në këtë kohë, akti i banorëve të Kukësit, që e ruajtën qytetin prej shkatërrimeve të marsit të mbrapshtë të 1997-s, më lehtësoi që, në një periudhë të tillë traumatizuese, libri të shkruhej sikur t’ish një situatë thuajse normale…