PDK-ja kërkon nga Qeveria që urgjentisht të rishqyrtohen masat anti-COVID.
Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që urgjentisht t’i rishqyrtojë masat e fundit anti-COVID.Në një konferencë për media, ai tha se masat janë joprofesionale dhe shumë të dëmshme për qytetarët dhe për bizneset e brendshme.“PDK i konsideron të ngutshme, jo profesionale dhe gjithsesi shumë të dëmshme në shumë dimensione masat e fundit antiCOVID dhe për rrjedhojë këto masa janë të dëmshme për bizneset tona të brendshme, bile edhe ato jashtë Kosovës të cilat bashkëpunojnë me vendin tonë si dhe këto masa janë joparimore në raport me të drejtën e lëvizjes së lirë të qytetarëve. Kjo qeveri në mungesë të kapaciteteve dhe vizionit për të menaxhuar me pandeminë ka zgjedhur masa ekstreme, në pamundësi që të marr masa të shtojë kapacitetet, parapëlqen të ndërmarr masa ekstremte duke kufizuar lëvizjen e qytetarëve në mbrëmje dhe duke i penalizuar dhjetëra mijëra biznese të cilat edhe ashtu s’po i ndihmon”.
Tutje, Abdullahu kërkoi që të rishikohen masat ekstreme për mbylljen e gastronomisë, pasi siç tha ai, vazhdimisht po dëmtohen, përfshirë këtu edhe aktivitetet sportive, kulturore dhe të tjera.
“Në vend se masat ekstreme të mbylljes, PDK rekomandon që Qeveria të rrisë kapacitetet menaxhuese dhe qytetarët me dy doza të vaksinës të kenë mundësi të lëvizin lirshëm dhe bizneset të operojnë pa pengesa”.Mes tjerash ai tha se hyrja në Kosovë me vetëm tri doza të vaksinës, është shkelje e të drejtave të njeriut.“Masat si ajo për pasjen e vaksinës së tretë si kusht për të hyrë në Kosovë, janë shkelje e të drejtave të njeriut në raport me qytetarët shqiptarë të vendeve përreth. Këta qytetarë kanë lidhje të pandalshme me Kosovën, si ato familjare dhe biznesore, arsim dhe fusha të tjera. PDK solidarizohet me të gjithë ata që janë kundër këtyre masave dhe atyre shtetasve që s’janë të Kosovës dhe po protestojnë ndaj këtyre masave që shkelin të drejtën e tyre elementare për të hyrë në Kosovë”.“PDK kërkon nga Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë t’i rishqyrtojë masat e fundit antiCOVID që të ndryshojë ato dhe të ndalë dëmin e shkatërruar dhe diskriminimin e zyrtarizuar. Të ndryshohen masat për qytetarët që duan të hyjnë në Kosovë e të cilëve iu kërkohet edhe vaksina e tretë. Kosova është dhe duhet të jetë e gjithë shqiptarë. Në asnjë moment kjo Qeveri s’ka ditur të e menaxhojë me pandeminë”.