“NATO-s i duhet Kosova”

                                    Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj thotë se NATO-s i duhet Kosova. Ai teksa tregoi pse Kosova i duhet NATO-s, theksoi se procesi i anëtarësimit kërkon kohë dhe durim por që momentumi i tanishëm në mjedisin e ri të sigurisë kërkon kontributin e shtetit të Kosovës në NATO.Ndërkohë që sot Kuvendi i Kosovës i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës të marrë veprimet e nevojshme për dorëzimin e kërkesës për anëtarësim në NATO, Bashkim Evropian, Këshill të Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Në paraqitjen e rezolutës ku dënohet agresioni rus në Ukrainë, legjislativi ka kërkuar edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga pesë vendet mosnjohëse të BE-së.

Postimi i plotë i Mehajt:

NATO-s i duhet Kosova

Ne, populli dhe vendi ynë me NATO-n kemi krijuar lidhje të pathyeshme.

Kosova është e mishëruar mes aleatëve në të dy anët e Atlantikut.

Bota sot ka ndryshuar, dhe NATO duhet të pranoj Kosovën në dyert e saj të hapura.

NATO-s i duhet Kosova.

I duhet si vlerë e shtuar, për t’i kontribuar paqes dhe sigurisë për brezat e ardhshëm kudo në Botë.

Për Humanitetin, Lirinë, Demokracinë dhe Solidaritetin.

Vendosmëria e NATO-së për mbrojtjen e këtyre vlerave, shpëtoi vendin dhe popullin tonë nga gjenocidi.

Ne e dimë më së miri vlerën e mbrojtësit të jetërave të njerëzve të pambrojtur nga e keqja.

Ne e dimë më së miri vlerën e luftëtarit kundër abuzimeve masive të të drejtave të njeriut.

Me NATO-n qëndruam dhe qëndrojmë përkrahë në operacionin KFOR në vendin tonë.

Me SHBA-në përkrah ishim në operacionin e stabilitetit në Kuvajt.

Me NATO-n përkrah ishim dhe jemi në operacionin humanitar për evakuimin e refugjatëve afgan.

Ne jemi të gatshëm edhe sot si partner e anëtar i NATO-s kudo që vlerësohet se mund të kontribuojmë.