Rrahman Jasharaj paralajmëron kryeministrin Kurti: Nëse nuk na takon pas 8 prillit, nisim grevën e përgjithshme
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj thotë se do të ketë grevë të përgjithshme nga SBASHK-u nëse Qeveria e Kosovës nuk i plotëson kërkesat e tyre. Në një bisedë për Gazetën Online, Reporteri.net, Jasharaj përmend mos-gatishmërinë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti si dhe ministrit të Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, për t’u takuar me sindikatat.I pari i SBASHK-ut thekson se ditën e shtunë kur u mbajt Kongresi i SBASHK-ut e ftuar ishte edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, të cilën e kanë paralajmëruar për greva e protesta nga ana e sindikatave.Ai thotë se kërkesë e tyre është shtesa prej 100 euro dhe trajtimi i Ligjit të pagave.“Po ne të shtunën kemi patur takime me ministren Nagavci ku i kemi bërë me dije se nëse kërkesat e tona nuk përfillen ne do të jemi të detyruar që të marrim veprime sindikale. Unë të shtunën e kam përmend një grevë si dhe protestën si alarm për Qeverinë që nëse kërkesat tona nuk realizohen atëherë Kongresi i SBASHK-ut do të detyrohet që edhe në bashkëpunim me sindikatat e tjera që të ndërmarrin veprime sindikale si dhe protesta, pra për kërkesat tona tashmë të ditura për shtesat prej 100 eurove si dhe për trajtimin e Ligjit të pagave”, ka deklaruar Jasharaj për Reporteri.net.“8 prilli kështu është vetëm një protestë me numër të kufizuar, pastaj nëse nuk ka as takime me kryeministrin ne do të hyjmë në grevë të përgjithshme, kjo si rezultat i pa kënaqësive edhe të mësimdhënësve për shkak se e shohim se çmimet për çdo artikull kanë pësuar ndryshime, duke pësuar një rritje të tyre”, ka shtuar Jasharaj.Ai thotë se nga sindikata kanë kërkuar takime me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, si dhe ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati por që të njëjtit nuk iu janë përgjigjur asnjëherë që nga marrja e mandatit.Madje për kryeministrin Kurti thotë se ende nuk kanë mundur të ia bëjnë “për hair” detyrën e kryeministrit. “Ne kërkojmë takime çdo herë edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, por që nuk kemi marrë përgjigje pozitive as nga Kurti asnjëherë. Që nga marrja e detyrës si kryeministër i Kosovës ne shqiptarët siç e kemi zakon jemi munduar të shkojmë për ‘për hair’, por që kryeministri as aty nuk është përgjigjur as një thirrje apo shkrese tonë. Por, me thanë të drejtën prej kryeministrit më edhe nuk po hatërohemi pasi e dijmë që ka edhe më shumë punë tjera. Megjithatë, më e keqja është se ministri i Financave dhe Transfereve nuk na ka takuar as një herë, për çka e ka edhe detyrë, bile ai nuk është përgjigjur asnjëherë as një shkrese nga SBASHK-u” shprehet i pari i SBASHK-ut.Ndërkaq, sa i përket tërheqjes së mjeteve nga Trusti pensional i Kosovës prej 30 përqind, i pari i SBASHK-ut vlerëson se është e rrezikshme një tërheqje e tillë, pasi sipas tij njerëzit në pleqëri jetojnë me paratë nga Trusti pensional.“Po sa i përket tërheqjes së mjeteve nga Trusti pensional mendoj se njerëzit kanë të drejtë që janë duke e kërkuar një gjë të tillë, pasi e thash edhe më herët është ngritur çmimi për çdo artikull të mundur dhe kjo ka ndikuar edhe në shportën e mësimdhënësve. Po edhe njerëzit kanë të drejtë njërën anë se e kanë parë që nuk janë as të mbështetur nga Qeveria e kështu ata po kërkojnë një zgjidhje të problemeve duke marrë një pjesë të mjeteve nga Trusti që njëherë ka ndodhë prej 10 përqind e sot kërkohet prej 30 përqind. Por, unë mendoj se kjo e ka edhe anën e zezë të medaljes, pasiqë njerëzit kur të dalin në pension i kursejnë tërë ato vite paratë, vetëm e vetëm që të jetojnë në kohën pas pensionit. Po flas edhe për vete si një plak këtu që kjo mundet me qenë e rrezikshme shumë për sigurinë pas pensionit”, vlerëson Jasharaj.
Vlen të theksohet se Rrahman Jasharaj të shtunën për herë të tretë u rizgjodh kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBAShK). Në Kongresin e tetë të SBASHK-ut votuan 121 delegatë, prej të cilëve 119 ishin për Rrahman Jasharajn, një abstenim dhe një për kundërkandidatin e tij, Emrush Ahmeti.