A i harroi Vetëvendosje premtimet për luftimin e nepotizmit?
Premtimet e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, mbi luftën kundër nepotizmit, janë harruar në momentin kur zyrtarë të kësaj partie janë ulur në karriget e institucioneve shtetërore, thonë nga shoqëria civile në Kosovë. Kritika për punësime mbi baza partiake apo familjare ka edhe opozita e Kosovës, kurse nga Qeveria thonë se kjo praktikë ka ndodhur në të kaluarën, por jo edhe tani.Debati për dyshime për punësime partiake dhe familjare nga Lëvizja Vetëvendosje, ka nisur më 5 prill, pas një konkursi në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).Përfaqësues të shoqërisë civile dhe media lokale në Kosovë, kanë njoftuar se janë punësuar aktivistë dhe familjarë të anëtarëve të Komisionit vlerësues të KEK-ut.Mediat kanë raportuar se pesë anëtarë të Komisionit vlerësues, përfshirë këtu edhe zyrtarin kryesor të auditimit, kanë punësuar djemtë ose vëllezërit e tyre. Në këtë konkurs thuhet se janë punësuar edhe militantë të partisë dhe familjarë të anëtarëve të LVV-së.Nga KEK-u janë përgjigjur se janë duke përcjellë të gjitha pretendimet publike rreth shkeljeve eventuale gjatë procesit të rekrutimit, duke inkurajuar ata që konsiderojnë se i janë shkelur të drejtat, të parashtrojnë ankesë brenda afatit ligjor.“KEK-u siguron se të gjitha ankesat do të shqyrtohen me kujdesin më të madh, duke rishikuar procesin, do të korrigjohen gabimet e evidentuara, si dhe do të merren masa adekuate konform ligjit, kudo që do të ketë pasur shkelje në proces”, thuhet në njoftim të KEK-ut.
Opozita: Punësimet në KEK-fenomen i rrezikshëm
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, në seancën e Kuvendit të Kosovës, të 7 prillit, tha se fenomeni i punësimit mbi baza partiake dhe familjare është fenomen i rrezikshëm. “Konkursi në KEK po e dëshmon se zyrtarët e ndërmarrjeve publike në këmbim të favoreve për emërime partiake dhe familjare kanë përzgjedhur edhe familjarët e tyre”, tha ajo, duke mos e përmendur ndonjë rast konkret.Lidhur me konkursin në KEK, kjo parti më 6 prill ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha se raportimet për punësime në KEK, “janë përcjellë me pasaktësi të shumta deri në shpifje ndaj zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, për të cilat janë bërë ankesat dhe do të bëhen paditë përkatëse ditëve në vijim”.Në lidhje më punësimet e reja në këtë korporatë, edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 5 prill, ka konfirmuar se ka nisur hetimet.