Abdixhiku: Amnistimi i Berishajt e rehabilitimi i Ivanoviqit, skandale që kërkojnë përgjigje

                            Në kuadër të ciklit debatues e diskutues “LDK ju dëgjon”, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorë ka qëndruar në Malishevë, ku gjatë takimit me qytetarë dhe struktura, ka folur ndër të tjera edhe për dy skandalet e fundit. Abdixhiku ka përmendur atë të Oliver Ivanoviqit, kriminel i luftës i dënuar me 9 vite burgim i lartësuar nga kryeministri Kurti si kontributdhënës për qytetin, si dhe për skandalin me ambasadorin Martin Berishaj. Sipas tij, skandalet e njëpasnjëshme që kanë vërshuar këtë Qeveri e këtë mentalitet qeverisës tashmë janë bërë të zakonshme. “Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj përveçse nuk e deklaroi pronësinë e tij mbi tri kompani private, në deklarimin e obligueshëm të pasurisë së tij, ai ka shkuar përtej edhe ka fshehur pasurinë e tij. Pra një ambasador i Kosovës në Kroaci me dy kallëzime penale, vazhdon të marrë mbështetje të parezervë prej pushtetit, përkundër fakteve tashmë të qarta nga media vendore e ndërkombëtare. Sipas raportimeve tashmë të bëra publike, janë tërhequr nga ai në mes të Prishtinës, 1.4 milionë euro para të gatshme kesh. Paratë janë transferuar nga kompania energjetike ‘GEN-I’ me seli në Beograd. Ballina me lajme skandaloze në rajon për të njëjtin rast por heshtje totale e kryeministrit tonë. A është ligji i njëjtë si për të gjithë qytetarët tanë, i njëjtë për familjarë, miq e bashkëpunëtorë?”, ka thënë Abdixhiku.Në komunikatën e LDK-së thuhet se Abdixhiku ka folur edhe për deklarimin e kryeministrit të Kosovës dhe lartnimin e figurës së Oliver Ivanoviq, i dënuar për krime lufte.“Glorifikimi i një krimineli lufte, i dënuar me 9 vite burgim për vrasjen e 31 civilëve shqiptarë. I njëjti nga pushteti aktual na portretizohet si person që ka kontribuar për një Kosovë shumë etnike, pra njeriun që pushteti e cilëson si kontribues të qytetit të tij. Mjafton tu referohemi të dhënave të dëshmitarëve të familjarëve të vrarë e të shohim qartë se çfarë krimineli lufte, kryeministri ynë po na e paraqet si promovues të paqes dhe harmonisë ndëretnike. Kërkim falja është më e pakta që mund të ia bëjmë popullit tonë”, ka thënë Abdixhiku.Po ashtu Abdixhiku ka theksuar faktin që ky nuk është ndryshimi që Kosova ka pasur nevojë; kjo nuk është Kosova që gjenerata të tëra kanë sakrifikuar për të.