Mbi 2 mijë bimë narkotike kultivoheshin në mullirin e Shirokës – si u zbulua laboratori i drogës së “bossit” turk në Suharekë

Policia e Kosovës në shkurt të vitit të kaluar kishte marrë informacione se një grup personash ishin duke kultivuar bimë narkotike në katin e fundit të një objekti në Suharekë. Në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale pas informacioneve të marra kishin zhvilluar masat e hetimit dhe vëzhgimit dhe me 16 shkurt 2022, kishin arritur ti arrestojnë shtatë të dyshuarit në këtë rast, raporton gazeta online Reporteri.net.Fethi Uygur i nacionalitetit turk, Alajdin Ramadani e Eroll Marku, shqiptarë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Filip Mishevski, po ashtu nga Maqedoni e Veriut, sikurse edhe boshnjaku Ertan Dacic dhe Alban Maloku e Milazim Voci shtetas të Republikës së Kosovës, janë personat që po dyshohen për kultivim të substancave narkotike.Ndaj tyre, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në nëntor 2022, kishte ngritur aktakuzë për krim të organizuar, me pretendimin se që nga koha e pacaktuar e deri më 16 shkurt 2022, duke vepruar si grup i organizuar, nën udhëheqjen e Fethi Uygur, kanë kultivuar hashash në laboratorin brenda objektit Mulliri “Voci 1”, në fshatin Shirokë, të komunës së Suharekës.Substancat narkotike, sipas Prokurorisë Speciale në aktakuzën e ngritur e që e ka siguruar gazeta online Reporteri.net, tregohet se të akuzuarit i kishin mbjellë e kultivuar në katin e shtatë të këtij objekti, më konkretisht në katin e fundit të objektit.

Si u gjeten bimët narkotike në katin e fundit të mullirit në Shirokë të Suharekës

                      Më 16 shkurt të vitit të kaluar, me rastin e ekzekutimit të urdhër kontrollit në këtë objekt ishte zbuluar vendi ku prokuroria pretendon se është bërë kultivimi i këtyre bimëve narkotike, dhe atë saksi-vazo ku ishin mbjellë 2,059 bimë të dyshuara të llojit kanabis sativa, si dhe rreth 32 kg substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, e cila ishte në procesin e tharjes.Fillimisht, me 4 shkurt 2022, Policia e Kosovës kishte marrë informacionet e para për zhvillimin e kësaj veprimtarie të kundërligjshme e pastaj me 14 shkurt janë zhvilluar masat e fshehta, ku është identifikuar lokacioni i laboratorit. Pas këtyre, Gjykata Themelore në Prizren ka lëshuar urdhër kontroll me c’rast të pandehurit janë kapur në flagrancë duke kultivuar lëndë narkotike, e cila me vendim të gjykatës është shkatërruar.Prokuroria Speciale në aktakuzën ndaj 7 të dyshuarve pretendon se nga raporti i hyrje- daljeve të kufirit i 3 marsit 2022, është vërtetuar se të pandehurit kanë udhëtuar bashkë dhe nga incizimi i hyrjes së banesës ishin identifikuar të pandehurit dhe disa persona të tjerë duke hyrë në këtë banesë.Menjëherë të akuzuarit ishin arrestuar në vendin e ngjarjes, gjatë aksionit.

Pjesë nga aktakuza

Prokuroria Speciale: “Bossi” i grupit, turku Fethi Uygur

Organizimin e të gjithë punëve të grupit kriminal sipas PSRK-së e ka bërë turku Fethi Uygur, i cili ka angazhuar “me punë” të pandehurit e tjerë nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe nga Kosova.

I akuzuari Alajdin Ramadani pretendohet të jetë marrë me mirëmbajtjen dhe rritjen e bimës narkotike, si dhe me gjetjen e personave për shitjen dhe shpërndarjen e saj, shkruan gazeta online Reporteri.net.

I akuzuari Filip Mishevski , sipas PSRK-së, pasi ka qenë inxhinier me profesion, pretendohet se që nga fillimi është marrë me rregullimin dhe mirëmbajtjen e laboratorit. Ndërkaq, i akuzuari Milazim Voci, e ka në pronësi Objektin e Mullirit “Voci I”, ku edhe pretendohet të jetë rregulluar laboratori, si dhe në ditën e arrestimit, është kujdesur për mbarëvajtjen e punës duke kontrolluar lëvizjet jashtë objektit të mullirit derisa të akuzuarit tjerë ishin brenda objektit.Së fundmi, prokuroria pretendon se të akuzuarit Alban Maloku, Erol Marku dhe Ertan Dacic, kanë vepruar si anëtar të grupit kriminal të angazhuar për mirëmbajtjen dhe kultivimin e bimës narkotike dhe llojit marihuanë, si dhe për shitjen e shpërndarjen e të njëjtës.Shtatë të akuzuarit po ngarkohen me veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me “Blerja, posedimi, shpërndarja, dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” si dhe “kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”.

Turku i arrestuar në Kosovë kishte probleme me ligjin edhe në vendlindjen e tij: Ika nga atje shkaku i frikës, pasi dola nga burgu 

Në aktakuzën e siguruar nga gazeta online Reporteri.net, thuhet se gjatë fazës hetimore në deklaratën e dhënë në Prokurorinë Speciale, i akuzuari Uygur nuk e kishte pranuar fajësinë dhe kishte shtuar se nuk është pjesë e këtij grupi.

“Kam ardhur të jetojë në Kosovë pas që i kam disa probleme personale me shtetin e Turqisë e që akoma nuk kanë përfunduar për shkak të një vepre penale ku e kam vuajtur dënimin me 6 vite e gjysmë me burg, dhe që nga koha e daljes nga burgu për shkak të frikës e kam lëshuar Turqinë dhe nga viti 2013 jetoj në qytetin e Prizrenit”, kishte deklaruar Uygur.

https://gjc.gjirafa.com/Home/IndexR?configId=5563-1&gjid=61098766&v=2.1&guid=14c9c4c10eaa4621bb548602c12d4fa0549439b4bfd643258de7529e78e128fa Ai ka thënë se është marrë me bixhoz si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoni dhe se detyrë e tij ka qenë shpjegimi i rregullave të lojërave të fatit, ku nga kjo punë kishte deklaruar se është paguar me përqindje.

Turku Uygur e kishte mohuar se ka qenë i përfshirë në këtë grup që Prokuroria Speciale e quan “grup kriminal”, dhe i njëjti e kishte përshkruar njohjen me të akuzuarit e tjerë, që sipas tij i kishte njohur përmes të tjerëve.

“Arsyeja pse unë jam në këtë procedurë është vetëm pse i kam njohur këta persona por punën që këta e kanë bërë nuk kam mundur ta dijë për shkak se nuk flasin gjuhën turke dhe shumicën as nuk i njoh”, ishte deklarata e tij në fazën e hetimeve, e cila përshkruhet në aktakuzën e siguruar nga gazeta online Reporteri.net.Pjesë nga aktakuza

Dëshmitë e të akuzuarve tjerë në hetuesi

I akuzuari Alajdin Ramadani në deklaratën e tij të dhënë në Prokurori Speciale kishte deklaruar se jeton në Shkup dhe se deri te kjo ngjarje ka ardhur pasi ka shkuar në Prizren dhe ka takuar një djalë nga Shkupi me emrin Aleksandër.

“Aleksandri më ka thënë a mund të vish me mua të ma kryesh një punë, dhe më ka thënë se nuk është punë e rrezikshme. Punën të cilën e kam kryer është shortimi i bimëve të mbjella të marihaunës të cilat do të përdoren për prodhimin e vajit gjë që kjo punë është ilegale në Maqedoni”, kishte deklaruar ai.

“Puna ime e Albanit dhe Ertanit ka qenë me shortu/pre marihuanën”, kishte thënë i akuzuari i cili pas 3-4 ditësh ishte arrestuar nga policia, ndërsa për pjesën e shpërndarjes ka thënë se ishte angazhuar një person me emrin Aleksandër i cili nuk është pjesë e kësaj aktakuze.

I pandehuri Alban Maloku në prokurori kishte deklaruar se në këtë ngjarje ka hyrë për shkak të kushteve të rënda ekonomike pasi babin e kishte të sëmurë.

“Këtë punë e kam kuptuar derisa kam qenë duke pirë kafe me të dashurën tim në një lokal në Abi Qarshia. Në një tavolinë tjetër kam dëgjuar disa persona që kam biseduar lidhur me angazhimin në përpunimin e narkotikëve dhe aty kam rënë dakort me Eroll Markun pasi kam pasur nevojë për para dhe jemi dakorduar që mund të thërras kur të ketë nevojë dhe çmimi ka qenë për një javë ti fitojë 500 euro”, kishte deklaruar ai.

Sipas tij, punën e kishte filluar gjashtë ditë para arrestimit, dhe se ka punuar vetëm gjashtë ditë së bashku me të akuzuarin Eroll tek Mulliri dhe se në laborator kishte takuar të akuzuarit tjerë.

“Puna ime ka qenë më i pre bimët ndërsa grumbullimin dhe shpërndarjen nuk e di kush e ka bërë””, kishte deklaruar ai në hetuesi, shkruan gazeta online Reporteri.net.

I pandehuri Milazim Voci në deklaratën e dhënë në prokurori kishte deklaruar se Mullirin e kishte trashëguar dhe se në të nuk ka punuar më shumë se dy vite dhe se një pjesë të Mullirit ia kishte dhënë me qera një personi nga Maqedonia me emrin Aleksander Nastevski.

“Nuk e kam ditur se për çka është shfrytëzuar Mulliri”, kishte deklaruar në fazën hetimore i akuzuari Voci.

Pas një muaji që ishte ngritur aktakuza, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë kishte caktuar seancën e shqyrtimit fillestar në të cilin shtatë të akuzuarit për kultivimin e 2059 bimëve të llojit kanabis sativa, si dhe 32 kilogramëve substanca tjera të narkotikëve, ishin deklaruar të pafajshëm.

Ndërsa në shkurt të këtij viti, mbrojta e shtatë të akuzuarve kanë kërkuar hedhjen e kësaj aktakuze duke i kundërshtuar edhe provat e prokurorisë.

Ky rast gjendet ende në fazën e konfirmimit të aktakuzës nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Reporteri.net/.