Vdekja e dyshimtë e gruas nga Shqipëria e martuar për një serb të Hoqës së Madhe, Policia: Viktima nuk kishte shenja të dhunës fizike

                           Një grua nga Shqipëria, e martuar me një pjesëtarë të komunitetit serb në fshatin Hoqë të Madhe të Rahovecit, ka vdekur të shtunën në spitalin e Gjakovës. Fillimisht u raportua se vdekja e 51 vjeçares erdhi si pasojë e dhunës fizike që dyshohet që i shkaktuan burri dhe vjehrra e tij. Por sot versioni i policisë për rastin ka ndryshuar pak.Nga stacioni policor në Gjakovë, të hënën, gazetës online Reporteri.net i kanë thënë se tek viktima, shtetase e Shqipërisë, nuk ka pasur shenja të dhunë fizike. Kjo sipas tyre është konstatuar nga raportimi mjekësor.Sipas policisë, mjekët kanë vërejtur vetëm pasoja të dhunës psikike nga ana e bashkëshortit të viktimës.“Në kohën kur ka humbur jetë në spital, e njëjta ka qenë duke u trajtuar për sëmundje të tjera e jo si pasojë e dhunës fizike nga ana e bashkëshortit. Viktima nuk dyshohet se ka pasur dhunë fizike, pasi sipas raportit mjekësor nuk janë vërejtur shenja të dhunës fizike, por vetëm dhunë psikike nga ana e bashkëshortit”, tha Sheremet Elezaj për gazetën online Reporteri.net.Por version ndryshe kishte dhënë vetë policia në raportin 24-orësh të datës 16 mars 2023. Aty thuhej se 15 mars 2023 rreth orës 08:50 viktima kishte denoncuar burrin dhe vjehrrin e saj se kanë ushtruar dhunë ndaj saj.“Viktima është dërguar në tretman mjekësor në Spitalin e Gjakovës. Me vendim të prokurorit pas intervistimit të dyshuarit janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, kishte njoftuar Policia.Të dielën Policia njoftoi serish për rastin në një raport shtesë, ku evidentohen sërish dyshimet për “Dhunë në familje”.“Në lidhje me rastin, më 18.03.2023 gjersa ishte në trajtim mjekësorë si pasoj e disa problemeve shëndetësore ka ndërruar jetë viktima femër shtetase e Shqipërisë. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për autopsi”.Rasti po vazhdon të hetohet. /Reporteri.net/.