Kontratë afro 200 mijë euro, arrestohet për korrupsion ish-drejtori i Agjencisë së Kosovës për Efiçiencë të Energjisë

                             Policia e Kosovës të premten ka arrestuar drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Efiçiencë të Energjisë nën akuzat për korrupsion.Siç bën të ditur komunikata e policisë, drejtori A.K., dyshohet se nënshkroi kontratë prej gati 200 mijë eurosh për realizim të disa projekteve në Burgun e Dubravës, projekte këto që veçse ishin realizuar në vitet paraprake, shkruan gazeta online Reporteri.net.“I dyshuari në cilësi të drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, ka nënshkruar kontratë rreth realizimi të disa projekteve në Burgun e Dubravës me një kompani në vlerë prej 199,500.00 €. Dyshohet se projektet në Burgun e Dubravës ishin tashmë të realizuara në vitet 2016-2018, (në Pavionin 4, vlera 271,466.66 €- realizuar në vitin 2016-2018, në Pavionin 6, vlera 233,309.00 € – realizuar në vitin 2016-2018 dhe ndriçimin e perimetrit të jashtëm të Burgut të Dubravës, Faza I, në vlerë 15,240.00 €, Faza II në vlerë 18,675.00 € dhe faza V në vlerë 20,000.00 € – realizuar në vitin 2016-2018). Vlen te ceket se në vitin 2021 ndaj personit të njëjtë ishte iniciuar një rast tjetër nga policia”, thuhet në komunikatë.Pas intervistimit, ndaj tij është iniciuar rasti ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’.“Në konsultim me prokurorin kompetent, rasti do të zhvillohet në procedurë të rregullt”. /Reporteri.net/.