Gjykata e dënon me 6 muaj burgim mërgimtarin nga Zvicra që kanosi Ganimete Musliun
Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Driton Maloku, duke e dënuar me gjashtë muaj burgim, pasi i njëjti e kishte pranuar fajësinë se ka kanosur deputeten e Kuvendit të Kosovës, Ganimete Musliu.Aktgjykmi ndaj të akuzuarit Maloku, u shpall të hënën nga gjykatësi Driton Berisha, raporton “Betimi për Drejtësi“. Gjykatësi Berisha tha se dënimi me burgim ndaj Malokut, mund të zëvendësohet në dënim me gjobë në shumën prej 5 mijë euro, me pëlqim të të akuzuarit. Dënimi me burgim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh pasi që aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm. I akuzuari obligohet që të paguajë edhe shpenzimet procedurale aq sa do të llogariten nga gjykata, si dhe shumën prej 20 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 20 euro të tjera për fondin e kompensimit të viktmave të krimit.E dëmtuara Ganimete Musliu, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike është udhëzuar në kontest civil. Palët e pakënaqura kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh.