Aksioni policor në Mitrovicë të Veriut, Sveçla: Serbia s’do ta cenojë shtetin tonë në asnjë cep të vendit

                         Policia e Kosovës ka përfunduar me sukses një aksion sot në Mitrovicë të Veriut, në rrugën e Kolashinit. Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka njoftuar për këtë aksion teksa ka bërë të ditur edhe se çka u konfiskua, shkruan gazeta online Reporteri.net.“Në banesë janë gjetur dhe konfiskuar 60 kartela grafike, makina antiminer S9, 13 ventilatorë, poça elektrikë që shfrytëzohen për rritjen e bimëve të kanabisit, llampë elektrike për laborator, municion 51 fishekë dhe 8 mjete shpërthyese të improvizuara”, njoftoi Sveçla në Facebook.Sipas Ministrit, kjo është dëshmi e sulmeve të shumta nga “argatë të Vuçiqit” ndaj zyrtarëve policorë, KFOR-it, e gazetarëve.“Ndaj ne po punojmë progresivisht që pesha e krimit mos të bjerë mbi qytetarët e ndershëm të Republikës. Aksioni është arritur falë dhe bashkëpunimit të qytetarëve të pjesës veriore, në luftën ndaj krimit të organizuar si dhe besimin e qytetarëve ndaj institucioneve të sigurisë”, shkroi tutje ai.“Veriu po ecën drejt normalitetit. Serbia nuk do ta cenojë shtetin tonë në asnjë cep të vendit”. /Reporteri.net/.