Rama akuzon Rusinë për abuzim me veto dhe keqpërdorim të rastit të Kosovës
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit ka akuzuar Rusinë me fjalë të ashpra për agresionin në Ukrainë. Përveç përplasjeve që ka pasur me përfaqësuesin rus Vasili Nebenzia për çështje “procedurale” rreth seancës, Rama kur ka marrë fjalën ka përmendur edhe rastin e Kosovës duke thënë se Rusia ka abuzuar duke tentuar ta përdor si precedent.“Abuzimi i përdorimit të së drejtës së vetos për fat të keq e ka mbajtur peng këtë Këshill Sigurimit, por nuk e ka bërë të hesht ashtu siç mund të dëshmojmë këtu në këtë takim” ka thënë ai.“Rusia e të tjerë janë përpjekur ta përdorin apo më shumë ta keqpërdorin realitetin e ndryshuar në Ballkanin Perëndimor, sidomos lindjen e Republikës së Kosovës, për të justifikuar ëndrrat e tyre neoimperiale apo makthet e tyre që kanë eksportuar në Ukrainë. Pavarësisht sa përpiqeni Kosova, pavarësia e Kosovës është aprovuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë” ka shtuar tutje Kryeministri shqiptar.