Hoti: Gërmimet në Prekaz do të vazhdojnë, pretendojmë edhe për dy mbetje tjera mortore
Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, thotë se gërmimet në lokacionin e Prekazit do të vazhdojnë, pasi që pretendojnë edhe për dy mbetje të tjera mortore, ku të enjten u gjetën tre, që dyshohet se i takojnë listës së personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Hoti tha se lokacioni i Prizrenit është i 12-ti brenda këtij viti që kanë bërë gërmime.“Lokacioni i Prekazit, është lokacioni i 12-të brenda këtij viti që ne kemi bërë gërmime. Ky është vetëm fillim i gërmimeve në këtë lokacion, sepse gërmimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Komisioni pretendon që në atë lokacion, ku aktualisht po bëjmë gërmime në bazë të informacioneve që i kemi dhe në bazë të raporteve analitike të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar mund t’i gjejmë së paku pesë persona që i përkasin viktimave të luftës së fundit, që i përkasin edhe listës së personave të zhdukur”, tha ai në Tëvë1.
Hoti bëri të ditur se në ditën në vijim Komisioni do të zgjerojë perimetrin në kanale të tjera, ku do të vazhdojnë të bëjnë gërmime. “Në ditët në vijim do të zgjerojmë perimetrin edhe në dy kanale të tjera që do të bëhen gërmimet. Informatat janë të shumta që mundemi me i marrë. Në Prekaz aktualisht i kemi marrë prej Kryqit të Kuq Ndërkombëtar. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, deri më tani ka pasur dy hulumtues në Hagë, të cilët kanë hulumtuar arkiva të Tribunalit të Hagës, në të njëjtën kohë janë duke hulumtuar edhe arkivat e UNMIK-ut, edhe arkivat e EULEX-it që kanë operuar në Kosovë edhe këto raporte, këto informata pastaj duke i përfshirë edhe dëshmitarë të ndryshëm natyrisht, bëhet një përmbledhje dhe pastaj kjo përmbledhje vjen te ne në Komision, ku aty janë edhe dy hulumtues të tjerë që i bëjnë analizimin e këtyre përmbledhjeve dhe natyrisht i bëjnë sugjerimet tjera për të bërë gërmime”, tha ai.