Djali i vdiq në aksident, mërgimtari nga Vushtrria vendos në shitje biznesin e tij – paratë e grumbulluara shkojnë për bamirësi
Haki Ademi nga Vushtrria, mërgimtar në Suedi, më 26 tetor të këtij viti humbi djalin Muhamed Ademi, 36-vjeçar. Ai pësoi vetë aksident në Suedi. Muhamedi ka lënë pas bashkëshorten dhe dy fëmijë.I ndjeri gjatë gjithë jetës është marrë me ndërtimin e shtëpive.Dëshira e madhe për të investuar në vendlindje ka bërë që i ndjeri Muhamedi në fillim të këtij viti të hapë biznes edhe në Kosovë.
Biznesi i tij në fshatin Mazgit bën shitjen e laminatit nga Suedia.
Me humbjen e djalit të tyre, familja Ademi ka zgjedhur që gjithë materialin që e kanë në biznesin e drejtuar nga Muhamedi ta shesin.
Në një linjë telefonike me emisionin Radar në Radio Dukagjini, axha Haki, ka rrëfyer rastin e dhimbshëm.
“Kemi jetuar në Suedi prej viti 1988. Dëshira e Metit ishte gjithmonë me gjet një biznes për me u kthye. Dëshira e tij ishte për me u kthye me investua në Kosovë. Ka qenë shumë i angazhuar kohëve të fundit për të ardhur për të jetuar me fëmijë e bashkëshorte në Kosovë. Po jeta është e tillë që nuk mund të realizohet siç kemi dëshirë, por s’kemi çka bëjmë kështu e ka jeta”, deklaroi Haki Ademi.
Muhamedi që ka pasur biznes ndërtimtarie në Suedi së fundmi kishte hapur një të tillë edhe në Kosovë.
Babai i Metit që jeton me familje në diasporë, por meqë është pensionist, vjen kohë pas kohe edhe në Kosovë, tregon se i biri kishte hapur biznesin në Kosovë prej rreth dhjetë muajsh.
Por të gjithë materialin që i ndjeri e kishte sjellë nga Suedia, familja dëshiron ta dhurojë për bamirësi.
“Paratë pas shitjes së laminatit që është material shumë i mirë nga Suedia, kemi vendosur t’i dhurojmë për bamirësi. Të gjitha të hollat që do të grumbullohen, në marrëveshje me ju (emisionin Radar në Radio Dukagjini) pas shitjes së materialit, t’i dhurojmë për bamirësi. Dua që djali i Metit, që është 10-vjeçar ta dhurojë atë çekun për bamirësi. Le ta dijë edhe ai çfarë është bamirësia”.
Ademi thotë se sasia e laminatit që do të dhurohet për bamirësi është nga 600-1,800 metra katrorë.
Ai thotë se vlera mesatare e parave që llogaritet se grumbullohet nga laminati i shitur sillet nga 60-80 mijë euro.
Meti kishte humbur jetën në një vetaksident, e sot babai i tij, ka vendosur me nxjerrë biznesin në shitje dhe të hollat e këtij malli do të shkojnë për një rast në Radar./Telegrafi/