Ky vit do të jetë më i rëndësishmi për vitet që vijnë sepse, përparimi në të nesërmen, varet nga e sotmja-Shkruan:Çerkin BYTYÇI, shkrimtar.
QendraPress- Si e shihni vitin 2024? A mendoni se rinia do te ja mësyjnë Evropës dhe cfarë reflektimi mund te ketë Kosova?.
Viti i porsafilluar, që në start është premtues. Edhe pse të papriturat janë të pa parashikueshme, megjithatë optimizmi mbretëron më shumë se kurdoherë. Mund të ketë edhe befasi për të cilat njeriu duhet të jetë i përgatitur të ballafaqohet. Po kështu edhe shoqëria. Por, mbase po mbretëron megjithatë një optimizëm dhe shpresojmë se paqja do të triumfoj, logjika e të mbarëve do të ngadhënjej dhe liria, edhe ajo individuale, do të çmohet si fryt i pazëvendësueshëm. Paqja nuk ka alternativ. Është një dhe e vetme për ta jetuar jetën në këtë dhe të gjitha vitet e shekujve. Gjithsesi shpresoj se nga pësimet janë nxjerrë mësime sa për të kanalizuar energjitë për të ardhmen më të mirë, jo vetëm të gjeneratave të ardhshme por edhe të gjeneratës së tashme, e sidomos edhe të seniorëve, të cilët nuk e kanë edhe aq lehtë, ndonëse e bartën barrën e rrugëtimit ku arritëm ne. Mësim më cilësor, më shumë lexim, më shumë punë e angazhim, më pak gjumë e, edhe më shumë gatishmëri për të sakrifikuar për të sotmen dhe të nesërmen. Me dije dëshmohet lashtësia, me dije provohet mburrja dhe krenaria e përkatësisë së lavdishme. Ky vit do të jetë më i rëndësishmi për vitet që vijnë sepse, përparimi në të nesërmen, varet nga e sotmja. Mundësia e dhënë që të lëvizet pa viza, është hiq më pak se mrekulli. Vonë po, por, megjithatë, duhet të shfrytëzohet si rast për t’a njohur edhe më mirë botën, për të parë zhvillimin e gjithëmbarshëm, sidomos të vendeve tona mike, në arsim, kulturë, shkencë, teknologji, turizëm, organizim, disiplinë, respektim të ligjeve etj., dhe tërë përvojën e vjelur nga udhëtimet e lira, ta praktikojmë në nënqiellin nga shtegtojmë. Pas pak kohësh do të jemi të avancuar kurse ata që deri më tash e penguan këtë, do të jenë të penduar./www.QendraPress.com/