Ymeri: Kurti ka bërë gabime të jashtëzakonshme në marrëdhëniet me ShBA-në

Visar Ymeri, ka thënë se kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, në raport me marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka bërë gabime të jashtëzakonshme.

Këto deklarime, ish-kryetari i VV-së i ka bërë në “Debat Plus”, derisa ka komentuar raportimin e gazetës online Reporteri.net se SHBA ka limituar nivelin e bashkëpunimit dhe takimeve me kryeministrin Albin Kurti, shkaku i moskoordinimit të përgjithshëm të shefit të ekzekutivit kosovar në çështjet që mund të ngadalësojnë apo rrezikojnë progresin në implementimin e marrëveshjeve me Serbinë.

“Mendoj që është diçka që e dimë për një kohë të gjatë se raporti i kryeministrit Kurti me ShBA-të, veçanërisht, por edhe me partnerët tjerë perëndimorë, nuk është i mirë. Në këtë drejtim, mendoj që kryeministri Kurti ka bërë gabime të jashtëzakonshme”, ka thënë Ymeri.

Ai ka thënë se raporti aktual i Kurtit me aleatët e vendit tonë “na ka sjellur në një pikë që një ndihmë që do të mund të na kishin dhënë në një situatë, mund ta humbim”.

“Kjo do t’i shkaktoj probleme Kosovës pastaj”, është shprehur ai.