Kina dhe Gjermania forcojnë marrëdhëniet dypalëshe. Ky zhvillim konfirmohet në takimin Xi Jinping – Olaf Scholtz.-Nga Artur Nura

                                Sa më shumë që koplikohen zhvillimet globale dhe interesat antagoniste në rajone të ndryshme të globit, aq më shumë rëndësi merr roli gjeopolitik dhe diplomatik i Kinës në botë, por në mënyrë të veçantë ky rol bëhet më i lexueshëm në raportet Kinë – Europë dhe vendet përkatëse përbërëse të kësaj familje të madhe politike.

Kina, dhe Pekini në mënyrë të veçantë, tashmë janë konvertuar në stacione diplomatike për të gjithë aktorët e rëndësishëm ndërkombëtarë dhe këtu mund të kujtojmë vizitat e autoriteteve më të larta të SHBA-ve dhe të Bashkimit Europian, por edhe të vendeve individuale europiane. Bashkimi Europian është akoma larg federalizimit të tij për tu bërë Shtetet e Bashkuara të Europës dhe që, jo rastësisht realizojnë vizita të rëndësishme individuale në gjigandin aziatik.

Një dinamike e tillë nuk është e rastësishme dhe ndodh parimisht për disa arsye konkrete. Duhet thënë që e para është sigurisht potenciali ekonomik dhe politik që afron ky vend i madh për globin dhe, e dyta, padyshim është qëndrimi i ekuilibruar politik dhe diplomatik që ka mbajtur Pekini në raport me krizat apo konfliktet e ndryshme rajonale. Këto dy komponentë të lidhura ngushtë njëra me tjetrën e bëjnë Kinën një aktor të pashmangshëm për të realizuar zgjidhje optimale në glob.

Duket se jo rastësisht listës së vizitave në Kinë ju shtua edhe ajo e kancelarit gjerman Olaf Scholz që nisi të dielën një vizitë tre-ditore në Kinë, me ftesë të homologut kinez Li Qiang dhe u mbyll me takimin me presidentin Kinez Xi Jinping.

Arritjet dhe qëllimet ekonomike të vizitës zyrtare 3-ditore të Olaf Scholz në Kinë

Kjo është vizita e dytë e tij zyrtare e Kancelarit gjerman në Kinë që nga marrja e detyrës. Gjatë vizitës, ai vizitoi degën e Kompanisë gjermane “Bosch” në Chongqing, mori pjesë në një dialog me studentë, në Universitetin Tongji, dhe vizitoi Qendrën e Inovacionit Azi-Paqësor, të kompanisë gjermane “Covestro” në Shangai.

Scholtz shoqërohej nga Ministrja e Mjedisit Steffi Lemke, Ministri i Bujqësisë Cem Ozdemir dhe Ministri i Transportit Volker Wissing gjë që tregon se sa e rëndësishme është vizita për të dyja palët. Trajektorja historike e marrëdhënieve kino-gjermane tregon se bashkëpunimi pragmatik ka shërbyer si gur themeli i lidhjeve dypalëshe.

Jo rastësisht Scholz në këtë vizitë shoqërohej edhe nga përfaqësues të lartë të kompanive të njohura gjermane, duke përfshirë Siemens, Bayer, Mercedes-Benz, BMW dhe Zeiss. Duke folur politikisht, kjo ishte vizita e parë e udhëheqësit gjerman në Kinë që kur qeveria e tij miratoi një strategji vitin e kaluar që e përkufizoi fuqinë aziatike si një “partner, konkurrent dhe rival sistemik”.

Ekonomia e Gjermanisë u tkurr vitin e kaluar dhe dobësitë e saj kanë ekspozuar nevojen e një mbështetje për rritje në Kinë. Kompanitë gjermane kanë nxitur për më shumë akses në Kinë dhe kanë kërkuar edhe mbështetje nga qeveria Gjermane për këtë zhvillim.

Kancelari vizitoi jo rastësisht kompanitë gjermane me investime të gjera në Kinë dhe u takua me përfaqësues të tregtisë dhe zyrtarë në metropolin e stërmadh industrial të Chongqing në jugperëndim të Kinës dhe në Shangai dhe Pekin.

Një raport nga Instituti Ekonomik Gjerman, cituar nga Radio e Jashtme e Kines, tregon se totali i investimeve direkte nga kompanitë gjermane në Kinë, arriti një rekord prej 11.9 miliardë eurosh (rreth 12.7 miliardë dollarë amerikanë) në vitin 2023, një rritje vjetore prej 4.3% , mbi 10% të totalit të investimeve të Gjermanisë jashtë shtetit.

Niveli më i lartë që nga viti 2014. Ndërkohë qe vëllimi i tregtisë dypalëshe ishte 253.1 miliardë euro në 2023, vit në të cilin Kina ruajti pozicionin e saj si partneri kryesor tregtar i Gjermanisë, për të tetin vit radhazi.

Presidenti kinez Xi Jinping ndërsa u takua në Pekin me kancelarin gjerman Olaf Scholz, vuri në dukje se ky vit shënon 10 vjetorin e krijimit të partneritetit strategjik të gjithanshëm mes Kinës dhe Gjermanisë.

“Gjatë 10 viteve të fundit, pavarësisht ndryshimeve të mëdha në situatën ndërkombëtare, marrëdhëniet Kinë-Gjermani janë zhvilluar gjithmonë në mënyrë të qëndrueshme. Bashkëpunimi në fusha të ndryshme është konsoliduar dhe thelluar vazhdimisht, duke i dhënë shtysë zhvillimit të të dy vendeve.” – ka thënë presidenti kinez në takim duke shtuar se zinxhirët industrialë dhe furnizues të Kinës dhe Gjermanisë, janë thellësisht të ndërthurura dhe tregjet e dy vendeve janë të ndërvarura.

Sipas presidentit Jinping “Bashkëpunimi reciprokisht i dobishëm mes Kinës dhe Gjermanisë nuk është një “rrezik”, por një garanci për stabilitetin e marrëdhënieve dypalëshe dhe një mundësi për të ardhmen ku qe të dyja palët duhet të përcjellin karakteristikat dalluese të përfitimit reciprok dhe rezultateve të favorshme, si edhe të arrijnë sukses të ndërsjellë – citohet Xi – duke përcaktuar jo rastësisht se eksportet e Kinës të automjeteve elektrike, baterive të litiumit dhe produkteve fotovoltaike, jo vetëm që kanë pasuruar furnizimin global dhe kanë lehtësuar presionin inflacionist, por gjithashtu kanë kontribuuar në reagimin global ndaj ndryshimeve klimatike dhe transformimit të gjelbër me karbon të ulët.

Në takim kancelari Olaf Scholz citohet të ketë thënë se aktualisht marrëdhëniet Gjermani-Kinë po zhvillohen mirë. Të dyja palët kanë shkëmbime të ngushta në të gjitha nivelet dhe fushat dhe se Gjermania është e gatshme të punojë me Kinën për të vazhduar të forcojë marrëdhëniet dypalëshe, të thellojë dialogun dhe bashkëpunimin në fusha të ndryshme.

Gjermania është e gatshme të forcojë komunikimin dhe koordinimin me Kinën për t’iu përgjigjur së bashku sfidave globale si ndryshimet klimatike, është e përkushtuar për të mbrojtur rendin ndërkombëtar shumëpalësh, promovon paqen dhe zhvillimin botëror dhe nuk pranon konfrontimin.

Gjermania si vend lokomotivë ne Bashkimin Europian nëpërmjet Kancelarit Scholtz duket ka mbajtur nje qëndrim te ekuilbruar ndaj proteksionizmit dhe ka mbështetur tregtinë e lirë dhe duket se si një anëtare e rëndësishme e BE-së, është e gatshme të luajë një rol aktiv në promovimin e zhvillimit të shëndoshë të marrëdhënieve midis BE-së dhe Kinës.

Temat delikate ndërkombëtare gjejnë dakortësi në vizitën e kancelarit gjerman ne Kine

Duket se të dy udhëheqësit e dy vendeve kanë shkëmbyer edhe mendime në mënyrë të thellë për krizën në Ukrainë, duke u shprehur njëzëri se u përkushtohen zbatimit të Kartës së OKB-së, kundërshtimit të përdorimit të armëve bërthamore dhe sulmit ndaj objektivave bërthamore, zgjidhjes si duhet të furnizimit ushqimor ndërkombëtar dhe i përmbahen ligjit ndërkombëtar humanitar.

Përsa i përket konfliktit palestinezo-izraelit, ata janë të mendimit se duhet të zbatohet Rezoluta 2728 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të parandaluar përshkallëzimin e situatës dhe përkeqësimin e mëtejshëm të situatës, për të siguruar akses humanitar pa pengesa dhe të qëndrueshme në Gazë, duke mbështetur zgjidhjen nëpërmjet negociatave të çështjes së Palestinës në bazë të projektit “dy shtete”.

Me përpara, Dai Bing, I Ngarkuari me Punën e Misionit të Përhershëm të Kinës në OKB u bëri thirrje të gjitha palëve përkatëse që të “vetëpërmbahen maksimalisht dhe të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm” të sulmit hakmarrës të Iranit ndaj Izraelit në një sesion urgjent, të organizuar të dielën nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së./CRI.CN/transmeton/ www.QendraPress.com/