Fryma poetike e së dielës me poetin:Llesh GJOKA
NE TË URTËT E GJALLË
———————————–
Ne të urtët e gjallë, jemi njerëz proverbash
Prej nesh nuk ndizet paniku në një kapërcyell dilemash
Zëngushtjet në lak i bëjmë të dështojnë
Lotët i dvarisim si avuj mëngjesi
Duke u lutur parandjellim shira të begatë
Nën psherëtima resh përcjellim çdo lëngatë.
Si ujët e pakët nën zhur përçojmë
gjakun tonë të pastër nëpër kapilarë kërthizash
Aty ku qepenat e kohës bien për ne
Aty ku fillon një brezni me hënë të re
Muzgut e mbajmë larg erën e pabesive
Nga zgafellat shpërthejmë lumenj krenarie.
Ne të urtët e gjallë, jetojmë me amanete
Nuk biem në çarkun e fjalës që erëmon tradhti
Atë pak lavdi se mbajmë kurrë për vete
Në bronx e derdhim, në rrënjë mbijetese
Kur atdheu është kushtrimi ynë për liri.
Bëjmë një jetë heronjsh të pazëshëm
Të përulur gjer në madhështi
Nën një heraldikë të lashtë, pellazgjike
Me një emblemë historike, Kastriotësh mbi krye.
Ne të urtët e gjallë, që jetuam me legjendat
Një ditë do shndërrohemi në ca gurë të bardhë
Do të kujtohemi ndoshta si njerëz fisnorë
Që e vjetëruan shpejt moshën, kohën tonë.
Duke e lënë rininë që jetuam diku larg
Të harruar në hije, si suvenir
Që askush s’guxon ta prekë si provë
Pamundësisht ta shndërrojë në promemorie
Që duhet të kyçet përjetësisht në arkiv.
ll@gjoka /www.QendraPress.com