Aksion i policisë në pikën kufitare Morinë, arrestohen 1 doganier dhe 3 qytetarë të tjerë për kontrabandim
Policia e Shtetit shqiptar ka njoftuar se ka arrestuar 1 doganier në pikën kufitare në Morinë dhe tre qytetarë të tjerë, të dyshuar për kontrabandë me pjesë të automjeteve në vlerë 8 mijë euro.
Sipas njoftimit, është hapur hetim edhe ndaj tre zyrtarëve policorë, nën dyshimin se kanë qenë të përfshirë në rast.Të dyshuarit janë kapur në flagrancë teksa transportonin me autobus pjesë automjetesh nga Kosova për në Shqipëri Të arrestuarit janë Sh. H., 53 vjeç; G. B., 37 vjeç dhe I. H., 36 vjeç për veprën penale “Kontrabandë me mallra të tjera” të kryer në bashkëpunim. Ndërsa Xh. Sh., 46 vjeç është doganieri i arrestuar për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”. Kurse ndaj policëve E. D., 28 vjeç, H. K., 54 vjeç dhe B. Gj., 50 vjeç është hapur hetim për veprën “Shpërdorim i detyrës”. “Në vijim, nga hetimet dyshohet se shtetasi Xh. Sh. ka bashkëpunuar me 3 të arrestuarit, për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale, si dhe se 3 të proceduarit duke shpërdoruar detyrat, kanë lejuar kryerjen e kësaj veprimtarie” – thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.