Thirrje për ruajtjen e vlerave të UÇK-së-Shkruan;Hisen Berisha, deputet i PDK-së
Të dashur bashkatdhetarë! Është thelbësore që të ruajmë dhe të mbrojmë UÇK-në si një prej vlerave më sublime të kombit tonë. Nuk duhet lejuar që UÇK të identifikohet me kriminelë apo me krime të cilësuara nga ligji dhe gjykatat. Ky është një rrezik që ka qenë i pranishëm që në themelimin e saj, gjatë luftës për çlirim dhe që vazhdon edhe sot në liri, jo vetëm brenda Kosovës, por edhe në Hagë me raporte si ai i Dick Martit, i miratuar në Këshillin e Evropës. UÇK ishte një organizatë që doli nga populli, lindi si domosdoshmëri për t’iu kundërvënë represionit gjenocidial të regjimit serb të kriminelit Millosheviç. UÇK luftoi për lirinë për të ndërtuar paqen duke vendosur drejtësi. Kjo politikë dezinformuese po ushqehet sot nga qarqe të caktuara në Prishtinë, fatkeqësisht, si dhe nga qarqe në Beograd, që është e pritshme. Këto janë qarqe që i shërbejnë Serbisë dhe armiqve të pavarësisë së Kosovës. Ata kanë për detyrë urrejtjen ndaj UÇK-së, urrejtjen ndaj lirisë dhe zhbërjen e vlerave të saj. UÇK është simbol i sakrificës dhe i luftës për liri. Është detyra jonë që të mbrojmë këtë trashëgimi dhe të kujtojmë se lufta për çlirim ka qenë e drejtë dhe e domosdoshme për popullin tonë. Nuk duhet të lejojmë që këto përpjekje të deformohen apo të përdoren për qëllime politike nga armiqtë e lirisë sonë. Si detyrë kombëtare, le të qëndrojmë të bashkuar në mbrojtjen e vlerave të UÇK-së dhe të refuzojmë çdo përpjekje për t’i identifikuar ato me krime. Liria dhe pavarësia jonë janë rezultat i sakrificave të panumërta dhe duhet të jenë krenaria jonë kombëtare. Me respekt dhe përkushtim, Hisen Berisha – Vetran invalid i UÇK/www.QendraPress.com/