Çaste poetike me poeten;Sofia GJINIKA
PORTA E BLINDUAR
*********************
Kush i mbylli portat, të blinduara kaq rëndë,
Çfarë të pengon e nuk mund t’i bësh thërrime?
Ti ishe nga ata o baba që haje gurin me dhëmbë,
Si duron pa patur afër, dashurinë e fëmijëve?
Ti gërmove malin me varre e levë në duar,
Ja di marifetet gurit e hekurit, sado i fortë,
Lumenj, rrugë e shtigje, shikoj gjurmët e tua,
Çohu o baba, zgjohu, shkallmoje atë portë?
Shtrëngon gjoksin malli, të të shikoj përsëri
Këmbkryq ulur tek qoshja tënde në oxhak
Tek shtëpia e vjetër, vërdallë plotë me hardhi,
Tek varje trastën e bukës, me qep e djathë.
Ti o baba je atje, ku është humbur kufiri,
Vërvitet imazhi yt në kopshtet e stolisur,
Pyes, mos ndofta në jetë, ky të jet mallkimi? ,
Përse kjo distancë na mba larg e të kyçur?
Me se tu lidhën duart, si qëndron në pranga?
A vall shikon mua që ç’do darkë flas me yje,
Ndoshta ti më drejton ca shigjeta të kaltra,
Por ti qëndron largë, më djegin shpirtin ca kujtime
Kush i mbylli portat të blinduara kaq rëndë?
Në qiellin lartë, çfarë profesioni të dhanë,
Jo, nuk e besoj, se të kanë ndryshuar mënd,
Kjo botë e rreme, kështu i sjellë njerëzit vërdallë.
/www.QendraPress.com/