Drejtoria e Emergjencave në Prizren apelon për shmangien e veprimeve që mund të shkaktojnë zjarre
Zyrtarët e lartë të Komunës së Prizrenit i kanë bërë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre. Sipas tyre gjatë ditëve të fundit ka pasur zjarre të shpeshta që kanë dëmtuar mjedisin.
Drejtoresha për Emergjencë dhe Siguri në Komunën e Prizrenit, Ramize Sinanaj Shala ka njoftuar se gjatë ditëve të fundit, “në disa zona të Komunës së Prizrenit janë raportuar zjarre të shpeshta, të cilat kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në mjedis”.
“Situata është shqetësuese për shkak të kushteve të motit të nxehtë dhe të thatë, të cilat e rrisin rrezikun e përhapjes së mëtejshme të zjarreve”, ka bërë të ditur ajo.
Për këtë arsye ka kërkuar veprime të përgjegjshme nga qytetarët.
“Ftojmë të gjithë qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, si ndezja e zjarreve në natyrë apo djegia e mbeturinave. Çdo zjarr, sado i vogël, mund të përhapet me shpejtësi dhe të dalë jashtë kontrollit”, është shprehur ajo.