Në përkujtim të përvjetorit të ndarjes nga jeta të Senatorit Bob Dole, -Shkruan;Hisen BERISHA,deputet.
Ambasador Nderi i Kosovës në SHBA Historia është mësuese e jetës. Ajo na tregon se si kemi udhëtuar bashkë me fatet e kombit nëpër histori. Dhe ashtu si Abdyl Frashëri në epokën para gjyqit, besojmë se historia do ta vlerësojë të dobishme atë çfarë kemi bërë për kombin. Në këtë udhëtim të gjatë, në momente të vështira dhe të errëta, ishit ju, miqtë tanë nga SHBA-ja, ata që na dhatë shpresë dhe na orientuat drejt lirisë dhe demokracisë. Senatori Bob Dole ishte një dritë në errësirën e tunelit ku na katandisi komunizmi. Ai ishte ndër ata që na ndihmuan të kthehemi në botën e lirisë, barazisë, pavarësisë dhe shtetit. Falë Zotit, përpjekjeve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbështetjes vendimtare të SHBA-së, sot jemi të lirë dhe kemi shtet. Kujtojmë me nderim të lartë dhe respekt burrat e mëdhenj të kombit amerikan – senatorë dhe kongresmenë, miq të kombit tonë – por edhe liderët e popullit që na orientuan drejt në rrugën e Zotit dhe demokracisë, duke na larguar nga lindja dhe orientuar drejt shpëtimit nga perëndimi. Nderojmë me respekt gjithashtu edhe dishepujt e shumtë që ende nuk po ndalojnë së kontribuari për atdheun, siç është lideri i Federatës Panshqiptare VATRA, z. Prof. Dr. Elmi Berisha. Është detyra jonë të nderojmë dhe të respektojmë këta njerëz që kanë luajtur një rol kyç në formësimin e të ardhmes sonë. Në këto momente reflektimi, kujtojmë gjithashtu fjalët e urta të znj. Golda Meir, Kryeministrja e katërt e Izraelit, e cila na udhëzon me tre parime themelore për ndërtimin e një shteti të fortë dhe të qëndrueshëm: lufta kundër korrupsionit, vlerësimi i lartë për profesionet e mësuesve, mjekëve dhe ushtarakëve, dhe angazhimi për punë të palodhur. Këto janë hapat që duhet të ndjekim për të ndërtuar një vend ku njerëzit duan të jetojnë dhe të kontribuojnë për një të ardhme të sigurt. Prandaj, ashtu siç na ndihmuat të çlirohemi dhe të bëhemi shtet me institucione, tani mos u ndalni të na ndihmoni dhe mësoni të bëhemi edhe shtet funksional. Fjalët e heroit tonë, Sali Çeku, na kujtojnë se “e jona është të punojmë”, se SHBA-ja do të na mbështesë në ndërtimin e shtetit, por ne duhet të jemi të gatshëm të mësojmë dhe të punojmë për të arritur pjekurinë dhe funksionalitetin e plotë si një shtet demokratik. Zoti i bekoftë kujtimin e senatorit Bob Dole dhe kontributin e tij të paçmuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Zoti i bekoftë miqtë e Kosovës dhe të kombit shqiptar. Zoti i bekoftë SHBA-në dhe kombin amerikan! Zoti e bekoftë Kosovën, shtet të pavarur e sovran!/www.QendraPress.com/