Fryma poetike e së mërkurës me poeten;Xhemile ADILI
NË UDHË ME NATËN
———————————–
Kurrkush nuk u dashurua në ty,
Përveç djallit,
Shëmtakja e dreqit,
Po unë me ty rrugëtoj
Zvarritur skutave, greminave,
Unë pengu yt i zi,
Zgjas duart e të shqyej pelerinën e zezë,
Po terrin e zi nuk ta heq,
E në terr të zi,
Këndoj këngë të zeza,
Varr më varr,
Dhe çdo grimcë varri
Bëhet pikë e këngës sime,
Kurse ti nuk ke ndjenja,
As shpirt,
As zemër,
Shëmtakja e dreqit!
Mirë që nuk ke sy
E nuk sheh fytyrën tënde sterrë
Edhe pa pelerinën e zezë,
Kurrkush nuk u dashurua në ty,
Përveç djallit,
Dhe kërkon të udhëtojmë bashkë,
Po unë nuk të ngjaj ty
Ti më mban peng,
Më zvarrit nëpër vite,
Ti verbake e shëmtuar!
Kaq shumë frikë shumëzon me ata sy,
Për të mbajtur perandorinë tënde,
Po kaq lehtë e ke,
Je natë,
Natë e zezë je.