Ministria e Mbrojtjes i reagon Daut Haradinajt: Pretendimet se ka humbur ndonjë dron janë të pavërteta
Ministria e Mbrojtjes, që udhëhiqet nga ministri Ejup Maqedonci, ka reaguar pas një deklarate publike të Daut Haradinajt, zyrtarë i lartë i AAK-së, i cili tha se “ka humbur një dron”.
Sipas MM-së, kjo deklaratë është e pavërtetë.
Në reagimin e tyre, Ministria e Mbrojtjes ka thënë se flota e dronëve është duke u shtuar vazhdimisht.
“Teksa lajmet e pavërteta përhapen nëpër studio televizive pa kuptuar peshën e fjalës në sigurinë e vendit, informojmë qytetarët se të pavërteta janë dhe pretendimet se ka humbur ndonjëherë ndonjë dron. Përkundrazi, flota e dronëve vëzhgues dhe sulmues është shtuar pas blerjes së parë dhe po vazhdon të shtohet. Kurse për çështjen e furnizimeve ju sigurojmë që në vazhdimësi pranojmë furnizime me sisteme të armatimit dhe pajisje ushtarake”, thuhet në reagimin e MM-së.