Tregtarët e krizës, që shiten si shpëtimtarë me opsion për pazare të reja—Shkruan ;Hisen BERISHA, analistë politik

Në politikën tonë të stërkonsumuar nga hipokrizia, tash po shfaqen “bllokuesit me opsion për proces të ri politik”.
Këta janë ata që e mbajnë peng vendin me justifikimin se “institucionet nuk mund të funksionojnë pa ne”, pastaj shfaqen si propozues të ndonjë “procesi të ri politik” – që në thelb nuk është gjë tjetër veçse tentativë për të rinegociuar pozicionin e tyre, për të bërë pazare të reja, për të shpëtuar veten dhe jo shtetin.
Janë të njëjtët që e delegjitimojnë zgjedhjen demokratike të qytetarëve, por pastaj bëjnë thirrje për “dialog të brendshëm” si mjet për ta relativizuar humbjen dhe për ta ringjallur veten si faktor të domosdoshëm.
Në të vërtetë, nuk kanë as vizion për shtetin, as vullnet për stabilitet – vetëm nevojë për mbijetesë politike.
Nëse dikush bllokon formimin e institucioneve, refuzon legjitimitetin elektoral dhe pastaj propozon “rrugëdalje” që kalojnë përmes vetes së tyre, atëherë nuk kemi të bëjmë me shtetarë, por me tregtarë të krizës./QendraPress/