Çaste poetike me poeten;-Rudina Muharremi BEJA

KUR QAJNË YJET

————————————-

Zemra më digjet nën hirin e heshtjes,

si një kandil i fikur në mes të stuhisë.

Një fëmi bie, pa zë, pa faj,

dhe toka dridhet,

nga peshë e një jete që s’u jetua.

Të pushtetshmit,

me duar prej hekuri e shpirtra prej akulli,

lëvizin kufij me gishtërinj të gjakosur

duke shitur iluzionin e fitores

mbi varret e pafajësisë.

Egoja, është etje që nuk shuhet,

është uri që ha dhe dritën,

ndërsa popujt, si degë të thyera në erë,

vështrojnë qiellin që hesht.

Nënat qepin dhimbjen me fije lutjeje,

baballarët, gurë të gjallë që s’mund të thërrasin,

fëmijët flenë në krevatë prej frike,

me ëndrra që digjen si fletët në zjarr.

Çdo raketë është një varg i grisur,

çdo sirenë, britmë që copëton shpirtin,

dhe çdo trup i vogël i shtrirë në baltë,

është një univers që s’do të zgjohet më kurrë.

Unë nuk hesht.

Unë ulëras për ata që u bënë pluhur

pa i thënë nënës “natën e mirë”.

Për ata që u zhdukën si yje të fikur

nga qielli i një bote të verbër.

Asnjë flamur nuk peshon më shumë

se fryma e fundit e një fëmije.

Asnjë arsye s’justifikon vdekjen e ëndrrave.

Lufta nuk është nder,

është turpi që mbulojmë me heshtje.

/QendraPress/