Çaste poetike me poeten;-Blertë Tmava VESELAJ

Libri të pret

————————

Në ulësen e vjetër pranë dritares

Rrezet kishin lëshuar shtat

Ti nuk je i ulur aty,

Janë kujtimet që ke lënë.

Gota në tavolinë ashtu si e le,

Mbuloja që hidhje krahëve netëve me freski,

Është një gjë që më çudit:

Aty është edhe libri që lexoje ti.

Libri që për mua me dashuri lexoje,

Që qeshnim të dy kur zërin ndryshoje,

Tani është aty, i heshtur nën rreze,

Sikur fle me kohën në kujtimet që mbeten.

Dhe rrezet sërish ngrohin edhe më shumë,

Sikur shoh fytyrën tënde në sytë e pagjumë,

Kujtimet hedhin valle në atë dhomë të zbehtë,

Ku pluhuri kishte mbuluar çdo gjë pa ne.

Asgjë nga aty nuk kishte lëvizur,

Libri yt i dashur priste plot shpresë,

Duhet dora jote që ta hapë sërish,

Që gjithçka të kthehet në jetë.

/QendraPress/