Çaste poetike me poeten;-Raimonda BRAHA

Pelegrin me shpirt të vrarë…
———————————————
Une jam këtu, edhe pse larg,
si një yll i fikur në qiellin e huaj,
me borën e ftohtë në pëlhurën time,
dhe graviteti i kujtimit më tërheq
pashmangshëm tek ti, atdhe.
Dua të kthehem,
por ik prej vetes me një lot që s’e kuptoj,
një mall që pikon si shi mbi gurët e heshtur
të shpirtit tim të tharë.
Sa herë shtegtoj si hije në rrugë të panjohura,
shpirti im mbetet tek ti,
si një flamur që nuk valëvitet më,
po digjet ngadalë në qetësinë e mungesës.
Jam një shtegtar pa busull,
një zog dimri që harron kthimin,
ndërsa rrënjët më thërrasin me zë të ulët,
si gjyshja që më priste dikur në prag
me sytë e lodhur nga pritja.
Në çdo hap, mbaj një grimcë dheu në zemër,
një copë qielli të grisur nga largësia,
dhe ec…si një pelegrin me shpirt të vrare
,e me kujtime zvarrë
që s’e gjen qetësinë as në strehë, as në altar .
/QendraPress/