Samir Hoxha: Hamami i Gazi Mehmed Pashës po bëhet urë mes trashëgimisë dhe artit bashkëkohor

Hapësira historike e Hamamit të Gazi Mehmed Pashës në Prizren po merr një kuptim të ri përmes përfshirjes në edicionin e pestë të Autostrada Biennale, një nga ngjarjet më të rëndësishme të artit bashkëkohor në rajon. Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Samir Hoxha, vizitoi ekspozitën që është hapur në këtë monument dhe vlerësoi transformimin e saj në një vend takimi mes trashëgimisë dhe artit.“Këtë vikend vizitova ekspozitën në Hamamin e Gazi Mehmed Pashës, që po zhvillohet në kuadër të edicionit të pestë të Autostrada Biennale në Prizren”, tha Hoxha.“Kjo hapësirë po merr një kuptim të ri, si vend i dialogut mes trashëgimisë dhe artit bashkëkohor”.
Sipas tij, hapja e ekspozitës në këtë ambient të restauruar pjesërisht dëshmon për potencialin që mbartin monumentet historike, kur ato rivitalizohen përmes përmbajtjes me vlerë.
“Ky aset i trashëgimisë kulturore, pas restaurimit të pjesshëm, është rikthyer në jetën publike të qytetit,” shtoi Hoxha. “Aktivitetet si kjo ekspozitë janë dëshmi e potencialit që mbartin monumentet tona, kur u jepet jetë përmes përmbajtjes kulturore me vlerë”.
“Punimet restauruese në Hamam janë ende në vijim, me qëllim funksionalizimin e plotë të tij”, theksoi drejtori i QRTK-së.
“Objektivi ynë është që këtë monument ta kthejmë në një hapësirë në shërbim të komunitetit, të ngjarjeve me rëndësi kulturore dhe sociale, si dhe të zhvillimit të qëndrueshëm të qytetit tonë”.
Hamami i Gazi Mehmed Pashës, vazhdon të jetë një simbol i identitetit kulturor të Prizrenit dhe një shembull i bashkëjetesës së vlerave historike me artin bashkëkohor.