Çaste poetike me poeten;-Manushaqe Hoxha LAÇI

Babai, dashuri pa fjalë

———————————–

Baba, nuk je vetëm ai që më solli në jetë,

Por ai që më priti në heshtje, me duar që dridheshin,

Ai që nuk foli shumë, por sytë të shprehën gjithçka:

 frikë, dashuri, krenari, përgjegjësi.

Je ai që s’ka ikur kurrë, edhe kur mundej,

Që ka qëndruar, edhe kur gjithçka përreth thyhej,

Që ka qeshur për mua, kur vetë s’dinte më të qeshte,

Që ka qarë vetëm, që unë të mos e dija kurrë.

Je përqafimi që m’i mblodhi copat,

Zëri që më tha: “Do bëhet mirë”

edhe kur nuk e dinte nëse do bëhej.

Je ai që më mësoi ta dua jetën,

pa më thënë ta dua.

Ai që më mësoi si të jetoj,

duke më dhënë shembullin personal.

Kur unë flija, ti rrije zgjuar.

Kur unë qaja, ti heshtje dhe gëlltisje gjithçka.

Jo se s’kishte rëndësi,

Por sepse doje të isha e qetë,

të mos më prekte asgjë që mund të më lëndonte.

Ti s’ke pasur nevojë të t’duartrokasë bota.

Nuk ke kërkuar asgjë,

As mirënjohje, as lavdi,

Vetëm një gjë: të jem mirë.

Je ai që më mësoi si t’ecja me këmbët e mia,

dhe pse rrugët para meje mund t’ishin të pashtruara,

Si të fluturoja me krahët e përgjegjësisë, i pavarur,

Si të sfidoja dallgët e kohës me guxim.

Më mësove me durim e dashuri,

Dhe ndihem krenare që je babai im,

gjaku i shpirtit tim,

Mbështetja që m’i dha forcë zemrës të rritej,

Prindi që gjithkush do donte të kishte.

Dhe për këtë, ti je baba,

Jo sepse shkruhet në letra,

por sepse është e gdhendur në zemrën time.

/QendraPress/