Çaste poetike festive me poeten:-Elmije AJAZI

DRITA QË RRI PRANË
( Sot në ditelindjen tënde)
Sonte, më 28 nëntor,
nata qëndron e qetë…
si të ishte duke dëgjuar emrin tënd, Abej.
Qielli e di se kjo është dita jonë
dita kur ti linde,
dita kur një vëlla, një bir, një hero,
erdhi në këtë botë me zemër të madhe.
E unë… unë sot flas me ty,
ashtu siç flas kur jam vetëm,
kur lotët më dalin pa pyetur,
kur zemra më kthehet në një dhomë të boshatisur…
që ka një dritë të vetme:
emrin tënd.
Abej…
Ti më the një fjali që nuk do të vdes kurrë:
“Moter, ec përpara… e hijet lëri pas.”
Kush e dinte se kjo fjali
do të bëhej jeta ime?
Se do të bëhej shpatulla ime kur lodhem,
drita ime kur errësohem,
zëri im kur unë s’kam zë?
Sonte, e prekë me zemër frymëmarrjen
Nuk e di si do të kisha jetuar pa fjalën tënde.
Sepse ti…
ti nuk ke ikur
Je në mua.
Ti u shndërrove në mua
U bëre erë që më prekë flokët.
U bëre dritë që më çel sytë në mëngjes.
U bëre lutje që më del vetvetiu sa herë më mungon.
U bëre një vend në shpirtin tim
ku askush s’mund të hyjë.
Abej, vëllai im…
sa shumë gjëra mbeta pa t’i thënë
sa shumë herë e kam kërkuar zërin tënd në heshtje,
sa shumë herë jam thyer në lot
vetëm pse doja edhe një herë të thosha:
“Vëlla, jam këtu.”
Sonte, në ditëlindjen tënde,
i them qiellit:
Mbaje pranë…
ashtu siç e mbaj unë në zemër.
E unë, Abej…
unë do të ec.
Do të ec në emrin tënd.
Do të ec edhe kur më dhemb,
edhe kur më mungon fryma,
edhe kur bota më duket e rëndë.
Do të ec sepse ti e the.
Ti doje dritë për mua.
Dashuria jote nuk ka rënie,
nuk ka fund,
nuk ka vdekje.
Gëzuar ditëlindjen në qiell, shpirt i bukur.
Drita jote ndriçon brenda meje,
dhe sa të rrahë kjo zemër,
emri yt do të jetë jeta ime.
E jotja moter!
/QendraPress/
