Fryma poetike e së dielës me poetin:-Namik SELMANI

E varën Poetin

———————

Teksa puthadorët e Natës bënin festën e Gjakut

E Mal i Pikëllimës

Për të donte ta hidhte emrin në shpate të humnerta.

E kënga

Në një arkivol nderimi e mbajti bash në gurin e pragut

E ne

kuptuam se fjalën e lirë po e godiste thekshëm Heshtja.

2.

E vranë Poetin

Si të vrisnin një trup-lehonë që na jepte mëmësinë.

E Fyelli i Fjalës

na ngeci të gjithëve në fytin e çarë nga loti e dhimbja.

Ata, të Paemrit,

kalisnin kosa, thika, sëpata nga mbrëmja në agim

Në ugarin plisçarë

Farën e jetës e filizin e lisit donin të na e prangosnin ndër qelira.

3.

E Gjallica

Në agun e ri ia kish thanë Lumës kobin gjëmëzi të Mordit.

E Drini

Ia kish ruajtur me merak nëne një kordele Kujtese të bleruar

. E poetët e kombit

Nxirrnin nga arkëzat e tingujve ngjyra bajraku, ehon e klithmat e motmotit

Teksa mesnata kuksiane

Me melodi funebre hapte kanate me dhëmbë e duar shtrënguar.

4.

E varën Poetin

Si një pendul hyjnor që na tregon kaherë kahjen e Kohës

Ani pse

duart vrastare Tualetosen ende në humbëtirat e mbjella me parfum Harrese

Një amanet i pathënë poeti

Nuk mund të heshtonte mes krakërimës së korbit.

Një ëndërr lirie

S’mund të mbaronte me një litar të lidhur në një tavolinë zgafelle.

5.

Me një tundje litari

Trup i Poetit belbëzonte plot kreni fjalët e pathëna.

Luma,

Bushtrica e Kosova Përzhisnin zemrën në atë mesnatë, në gusht.

E varën poetin

Bash si të varnin Bjeshkën me borë, me lule e kroje ujëargjenda.

Si të sillnin

drejt nesh Vetë Shkretëtirën e Besimit te liria, në një zjarr të prushtë.

6.

Kolovitej

mes kaltërsisë njaj trup i pajetë, në litarin kombshtrënguar.

E dielli

Tragjikshëm e fshihte fytyrën nga dhimbja dhe derti.

E Kolesjanit

I shtoheshin palë rrudhash në ballin e gurëzuar.

Një këngë majekrahu

Si një piskamë zemrash merrte rudinat për Rilindje Poeti

E varen poetin..

/QendraPress/