Reagim me shkas – kur miqësia mbetet vetëm fjalë/Shkruan;-Fatmir ÇITAKU

Nuk është e lehtë ta shkruash këtë reagim, por është e domosdoshme. Jo për t’u ankuar, jo për të kërkuar mëshirë, e as për të dalë para opinionit me fjalë boshe, por për të thënë një të vërtetë që shumëkush e di, e sheh, por zgjedh ta heshtë.

Ka momente në jetë kur njeriu nuk ka më nevojë të flasë shumë, por ndjen se duhet të thotë të vërtetën. Jo për t’u justifikuar, jo për të akuzuar drejtpërdrejt, por për të mos e gënjyer më veten.

Kohëve të fundit, e sidomos nga ky vit që e lam pasë,

kam kuptuar diçka që është e dhimbshme, por e domosdoshme për t’u pranuar: jo çdo afërsi është miqësi dhe jo çdo buzëqeshje është sinqeritet. Shumë njerëz dinë të afrohen bukur, të flasin mirë, të duken të pranishëm, por kur hiqet shtresa e interesit, aty nuk mbetet asgjë.

Zhgënjimi nuk vjen nga armiqtë – ata janë të qartë. Zhgënjimi vjen nga ata që i mban pranë, nga ata që i quan miq, e që në heshtje të mësojnë se kanë qenë aty vetëm sa kohë u ke shërbyer. Jo sepse të vlerësonin, por sepse u duheshin rrethanat, fjala, dija, prania apo mbështetja jote.

Kam parë se si për disa njerëz, miqësia nuk është lidhje vlerash, por llogari përfitimi. Afrohen kur u leverdis, heshtin kur u kërkohet qëndrim, dhe largohen pa zhurmë kur u kërkohet respekt apo mirënjohje. Neglizhenca e tyre nuk është rastësi – është zgjedhje. Është mënyra më e lehtë për të mos pranuar të mirën që u është bërë.

Më e dhimbshmja është kur kupton se përpjekja jote për të ndihmuar, për të ngritur tjetrin, për ta përfshirë dhe respektuar, nuk shihet si vlerë, por si dobësi. E mira përvetësohet, ndërsa emri yt harrohet. Heshtja bëhet përgjigje, ndërsa mirënjohja mungon krejtësisht.

Sot duket sikur kemi shumë njerëz rreth vetes, por pak që qëndrojnë vërtet. Kur vjen momenti për një mendim të sinqertë, për një fjalë të drejtë, për një mbështetje reale, shumica nuk janë aty. Jo sepse nuk munden, por sepse nuk duan. Sepse miqësia për ta nuk shkon përtej interesit personal.

Dhe këtu lind reflektimi më i rëndë: a ia vlen të mbash pranë njerëz që janë afër vetëm fizikisht, por larg në vlera? A ia vlen një shoqëri që ekziston vetëm sa kohë nuk u cenon interesin?

Përgjigjja, sado e hidhur, është e qartë. Më mirë pak njerëz të vërtetë, sesa një rreth i gjerë bosh. Më mirë heshtje me dinjitet, sesa shoqëri që të lodh, të përdor dhe të zhgënjen. Miqësia nuk mbahet me interesa, por me respekt. Dhe aty ku mungon respekti, nuk ka pse të qëndrojë askush.

Ky shkrim nuk është akuzë, por pasqyrë. Kush e sheh veten në të, le të reflektojë. Sepse miqësia e rreme mund të zgjasë një kohë, por kurrë nuk qëndron përballë së vërtetës.

Fatmir Z Çitaku